2008-02-23 15:59:58

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(23.02.2008 RV)23 shkurt: Agostini i Kantërbërit; kthimi i Anglisë në fenë e krishterë.
Këmbana e Kishës së Shën Martinit në Kantërbëri përhap në ajër tingujt e saj muzikorë. Është ftesa për Meshën e mëngjesit. I ulur në korin e kishës së vogël, Agostini shikon bashkësinë e besimtarëve. Murgu vë buzën në gaz. Kënaqet duke parë bankat që mbushen me shpejtësi e nuk mjaftojnë për të gjithë besimtarët, që i përgjigjen zërit të këmbanës. I tërheq vëmendjen një njeri në mes të bashkësisë. E ka vënë re prej disa javësh, por nuk e di kush mund të jetë. Ndoshta është ndonjë prej paganëve të zonës, që e ka prekë hiri i Hyjit e tani nuk mund të rrijë pa Të. Por ajo që e çuditë më shumë, është se i panjohuri mundohet ta fshehë fytyrën.
“Jezusi u afrua – lexon një nga murgjërit - e u tha atyre: ‘Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, prandaj, e bëni nxënës të mi të gjithë popujt, duke pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt e duke u mësuar atyre t’u binden urdhërimeve të mia. Ja, unë jam me ju për gjithë ditë, deri në fund të botës!”.
I përqëndruar tek lutja, Agostini nuk kujtohet fare se Mesha është kryer. Murgjërit e tjerë tashmë janë kthyer tek librat e tyre, kur një zë e shkëput nga meditimi:
“Vëlla Agostin!”. Agostini çon sytë e sheh njeriun misterioz të gjunjëzuar para tij. E njeh menjëherë e, i çuditur pa masë, i drejtohet gjithë gëzim me fjalët: “Lartmadhëria Juaj?!”. E , pas një heshtjeje të shkurtër, vijon me shaka: “Nuk e dija se ishit një nga besimtarët e famullisë sime!”.
Mbreti hesht i gjunjëzuar, në sa murgu e pyet me zë të ulët, plot shpresë. “Thua duhet të besoj se Zoti jua ka prekur zemrën?”.
“Ashtu është – përgjigjet mbreti Etelbert – jam këtu për t’ju kërkuar të më pagëzoni”.
Agostini miraton në heshtje. I sillen nëpër mend të gjitha ngjarjet që ka jetuar, qysh nga dita kur shkeli për herë të parë në Britani. Kujton posaçërisht ndihmën e çmuar që i dha mbreti. Agostini e shokët e tij erdhën në këtë vend një vit më parë e detyra që i priste ishte tepër e vështirë. Do të ishte bërë edhe më e zorshme, po të mos u kishte ndihmuar mbreti Etelbert i cili, megjithëse ishte pagan, kishte zgjedhur për shoqe jete një vashë të krishterë. Falë ndihmës së tij, murgjërit arritën ta ndërtojnë këtë kishë e kuvendin e tyre, pranë saj. E në saje të bujarisë së mbretit, mund ta kalojnë kohën duke u lutur e duke e predikuar lirisht, pa asnjë pengesë, Lajmin e Mirë të Ungjillit. Pagëzimi i mbretit Etelbert do të jetë një etapë e re për misionin e Agostinit: bashkësia e tij e vogël tashmë është e fortë e, për më tepër, gëzon edhe përkrahjen e mbretit, prandaj edhe mund t’i kushtohet më shumë ungjillëzimit të popullit. Agostini është ipeshkvi i parë, i dërguar nga Papa Gregori i Madh. I takon atij detyra për ta ngritur, hap pas hapi, Kishën e Anglisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.