2008-02-22 18:06:50

Pavarësia e Kosovës shkakton reagimin e Rusisë e të serbëve të Bosnjës


(22.02.2008 RV)Rritet tensioni rreth pavarësisë së Kosovës, pas protestave të djeshme në Beograd, gjatë të cilave iu vu flaka ambasadës amerikane dhe ambasadave të tjera të vendeve që e kanë njohur ose kanë shprehur gatishmërinë për ta njohur shtetin e ri.
Benzinë i shtoi këtij zjarri edhe deklarata ruse, sipas të cilës Moska është gati të përdorë forcën e armatosur “nëse Evropa dhe NATO kapërcejnë mandatin e dhënë nga Kombet e Bashkuara për Kosovën”. Më vonë, kjo deklaratë e ambasadorit rus në NATO, Dmitrij Rogozin u korrigjua, duke sqaruar se ai kishte dashur të thoshte se Kosova krijon një precedent në të cilin është zëvendësuar ligjshmëria ndërkombëtare me përdorimin e forcës. Ndërkaq, lajmi u referua me ankth në mediat kryesore të mbarë botës dhe Uashingtoni akuzoi Moskën se nuk bën asgjë për të zgjidhur krizën.
Pas incidenteve të djeshme, të dënuara ashpërsisht nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, nga kancelaritë perëndimore dhe edhe nga vetë Beogradi, tratativat për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian janë pezulluar. Përfaqësues të Brukselit, ndër të cilët edhe Solana, që ndodhet sot në Slloveni, sqaruan se ato do të fillojnë sërish vetëm pas qetësimit të situatës. Në ndeshjet e djeshme është djegur një person, janë plagosur rreth 130 vetë dhe janë arrestuar 192 të tjerë. Presidenti Boris Tadiç mblodhi sot Këshillin kombëtar, duke theksuar se protestat e dhunshme nuk janë në natyrën e Serbisë. SHBA-të tërhoqën një pjesë të personelit të ambasadës. Është ndaluar hyrja në Kosovë e protestuesve të çdo lloji, por sot KFOR-i është detyruar të përdorë gazin lotsjellës për të ndaluar një turmë prej 5 mijë serbësh që donin të kalonin urën e Ibrit në Mitrovicë, me thirrjet “Kosova është jona”. Probleme edhe në Banja Luka, ku është mbyllur konsullata amerikane dhe ku dje, parlamenti i Republikës serbe të Bosnjës miratoi një rezolutë, me të cilën i rezervon vetes të drejtën të thërrasë referendum mbi pavarësinë, nëse serbëve të Bosnjës nuk u garantohen të gjitha të drejtat e parashikuara në Traktatin e Dejtonit.







All the contents on this site are copyrighted ©.