Benedikti XVI në Mesazhin drejtuar ipeshkvijve kubanë: “Kuba t’ia hapë zemrën Krishtit.
(22.02.2008 RV)“Papa është pranë popullit kuban e lutet që ai t’ia hapë mendjen,
zemrën e jetën Krishtit, të vetmit Shëlbues e Shpërblyes”- këtë lexojmë në Mesazhin
që Benedikti XVI u dërgoi ipeshkvijve të Kubës me rastin e vizitës së kardinalit Tarçizio
Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, i cili ndodhet që pardje në ishullin karaibik,
për të marrë pjesë në kremtimet, organizuar me rastin e dhjetëvjetorit të shtegtimit
historik të Gjon Palit II në Kubë. Papa i fton katolikët, të cilët shpesh herë
e ndjejnë veten të shtypur nën peshën e rëndë të vështirësive, të mungesës së burimeve
të jetesës, të indiferencës e edhe të mosbesimit, t’i japin një hov të ri ungjillëzimit
të vendit, duke predikuar doktrinën e drejtë e duke kujtuar se Kisha dëshiron të mbrojë
dinjitetin e njeriut e të mbjellë farën e mirë të mirëkuptimit, të mëshirës e të pajtimit. Ka
shumë të përbashkëta ndërmjet jetës shpirtërore të katolikëve kubanë e atyre shqiptarë.
Na i kujton menjëherë këto të përbashkëta thirrja e Benediktit XVI “Mos u tremb grigjë
e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë e tij”. Janë të njëjtat fjalë,
të cilat Papa Gjon Pali II ia pati drejtuar grigjës së vogël të katolikëve shqiptarë
më 5 tetor 1980, gjatë vizitës në Otranto të Italisë, e ua pati përsëritur gjatë vizitës
së tij historike më 25 prill 1993. E thirrja e Papës Racinger drejtuar ipeshkvijve
kubanë, përfundon duke u kujtuar katolikëve se besimtari e di që mund ta mbështesë
gjithnjë shpresën në Jezu Krishtin, Zotin tonë, që nuk të zhgënjen kurrë (cfr Sel
1,3), e se një dritë e vogël mund të ndriçojë gjithë shtëpinë, ashtu si pakëz
tharm mund të mbrujë gjithë masën. (cfr Mt 13, 33). Sa herë gjestet e vogla
të miqësisë e të vullnetit të mirë, gjeste të thjeshta e të përditshme respekti e
vëmendjeje ndaj atij që vuan ose përkushtimi pa interes për të tjerët, e bëjnë tejèt
të dukshme dashurinë pa kufi të Hyjit për të gjithë e për secilin - shkruan Papa,
e në vijim u bën thirrje ipeshkvijve të ishullit karaibik:“Të dashur vëllezër! Në
duart tuaja është vreshta e Hyjit në Kubë, ku Ungjilli ka filluar të kumtohet pesë
shekuj më parë, duke ndikuar fuqimisht në lindjen e Kombit…. Ju e dini se Papa është
gjithnjë pranë jush, ashtu si janë pranë jush, me lutjen e bashkëpunimin e tyre, edhe
kishat e tjera të përhapura në mbarë botën”.