2008-02-21 18:40:59

Vizita e kardinalit Bertone në Kubë, dhjetë vjet pas shtegtimit historik të Gjon Palit II në ishullin karaibik.


(21.2.2008 RV)Kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, filloi mbrëmë shtegtimin e pritur në Kubë, me rastin e dhjetëvjetorit të vizitës apostolike të Gjon Palit II në ishullin karaibik.
Për ta pritur zyrtarisht në aeroportin ndërkombëtar ‘Hosè Martì” të Havanës, kishte dalë Felipe Pérez Rok, ministër i jashtëm; në vitet e kaluara, sekretar personal i Fidel Kastros. Ishin të pranishëm edhe zonja Karidad Diego, kryetare e Zyrës së Partisë komuniste kubane për Çështjet fetare, kryipeshkvi i Havanës, imzot Hajme Ortega dhe autoritete të tjera politike e fetare.
Gazeta zyrtare ‘Granma’ botoi dje në faqen parë, një notë të shkurtër, për t’i uruar mirëseardhjen kardinalit Bertone, si edhe biografinë e Hirësisë së Tij, duke shënuar se vizita e sekretarit të Shtetit të Vatikanit ka karakter zyrtar e baritor dhe realizohet në kuadrin e dhjetëvjetorit të vizitës së Gjon Palit II në Kubë.
E sot, me vizitën në Seminarin e Shën Karlit e të Shën Ambrozit, e më pas me Meshën Shenjte në Katedralen e Havanës, filluan veprimtaritë e para të programit të ngarkuar të vizitës, që do të përfundojë të martën, më 26 shkurt, me kremtimin e Meshës në Penalver dhe takimin me autoritetet civile.







All the contents on this site are copyrighted ©.