Urti e maturi: këtë kërkoi Papa në audiencë duke pritur ambasadorin e ri serb për
Letrat kredenciale.
(21.2.2008 RV)Sot në Vatikan u
ndje fort kriza në Kosovë: Papa, në fjalimin drejtuar ambasadorit serb pranë Selisë
së Shenjtë, Vladeta Jankoviç, i cili paraqiti Letrat kredenciale, u bëri thirrje
palëve që kanë të bëjnë me situatën e re të krijuar në zonë, të tregohen të urtë e
të matur. Benedikti XVI e filloi fjalimin, duke kujtuar se Selia e Shenjtë i vlerëson
shumë lidhjet diplomatike me Serbinë, e, prej këndej, inkurajon vijimin e përpjekjeve
në shërbim të ndërtimit të një ardhmërie me paqe, prosperitet, pajtim e bashkëjetesë
paqësore në zonë, në mënyrë që Serbia dhe fqinjët e saj të mund të zënë vendin e
duhur në Evropë. Pastaj, qortimi i Papës: “Të pakta janë vendet e Kontinentit evropian
që kanë mundur të shpëtojnë nga shkatërrimet e luftës në shekullin e fundit, e të
gjithë mund ta nxënë mësimin që u jep e kaluara e afërt” – tha Ati i Shenjtë, i cili
bëri thirrje të punohet për një ardhmëri më të sigurtë, duke kujtuar se identiteti
dhe tradita e pasur kulturore e Serbisë, ashtu si e të gjitha kombeve evropiane, i
ka rrënjët thellë në trashëgiminë e fesë së krishterë. E di – tha Benedikti XVI –
sa fort ka vuajtur populli serb gjatë konflikteve të kohëve të fundit, ashtu siç kanë
vuajtur edhe popujt e tjerë të Ballkanit, të tronditur rëndë nga ngjarjet e trishtuara
të këtyre dhjetvjeçarëve. Edhe Selia e Shenjtë ka shumë dëshirë që paqja e arritur
të sigurojë stabilitet afatgjatë në zonë. Prej këndej Benedikti XVI u bëri thirrje
të gjithë të interesuarve – duke pasur parasysh krizën e sotme në Kosovë – të jenë
të urtë e të matur e të kërkojnë rrugëzgjidhje që favorizojnë respektin reciprok e
pajtimin. Pastaj Ati i Shenjtë vërejti edhe se pozita gjeografike e Serbisë, që
ndodhet në kufirin ndërmjet krishterimit perëndimor e atij lindor, i krijon kushte
unike për promovimin e dialogut ekumenik, ndërsa familjariteti i saj me Islamin, përmes
takimit me perandorinë otomane dhe prania aktuale e shumë myslimanëve në zonë, mund
të ndihmojë shumë për përparimin e dialogut ndërfetar. Këto procese – nënvizoi në
vijim Papa – kanë rëndësi të jashtëzakonshme për krijimin e frymës së mirëkuptimit
e të respektit reciprok ndërmjet popujve e kombeve të botës moderne. Ndërsa ambasadori
serb, në fjalën e tij drejtuar Atit të Shenjtë – theksoi se vendi i tij shpreson
në mbështetjen e Selisë së Shenjtë për realizimin a aspiratave të integrimit evropian,
duke kërkuar të njëjtin trajtim që i është bërë çdo vendi tjetër të krishterë, të
pavarur e demokratik, gjë që do të thotë - theksoi diplomati i Beogradit – se “duhet
të respektohet integriteti territorial dhe sovraniteti i Serbisë, duke përfshirë provincën
jugore të Kosovës”.