2008-02-21 18:40:51

Papa Jezuitëve: “Kisha ka nevojë për ju, shpreson tek ju”


(21.2.2008 RV)RealAudioMP3 “Ta duan Papën dhe t’i shërbejnë” – si kusht tipik i katërt – e t’i shërbejnë Kishës me zellin legjendar të paraardhësve, që duhet rizbuluar në epokën kur Ungjilli has pengesat e relativizmit të përhapur etik e të materializmit praktik”. Ky është impenjimi i madh shpirtëror e apostolik, që Benedikti XVI kërkon nga Shoqëria e Jezusit. Papa u shpreh kështu gjatë audiencës së sotme në Vatikan, ku priti anëtarët e Kongregacionit të 35-të të përgjithshëm, të cilët një muaj më parë zgjodhën Eprorin e tyre të ri, Atë Adolf Nikolas.
Benedikti XVI preku menjëherë temën, së cilës Kisha i kushton vëmendje të dorës së parë, atë të kujdesit për të varfërit:
“Për ne zgjedhja e të varfërve nuk është ideologjike, por lind nga Ungjilli - theksoi Papa - dhe në vijim kujtoi se në botën e sotme ka padrejtësi e varfëri të panumërta e dramatike. E në se duhet të impenjohemi për t’i kuptuar e për t’i luftuar shkaqet strukturore të tyre - vijoi Shnejtëria e Tij - duhet edhe të zbresim e t’i luftojmë në vetë zemrën e njeriut rrënjët e thella të së keqes, mëkatin që e ndan nga Hyji, pa harruar ndihmën që i duhet dhënë gjithnjë nevojtarit me frymën e dashurisë së Krishtit”.
Por nuk duhet harruar se, në këtë botë të shekullarizuar, në të cilën të krijohet përshtypja se Hyji nuk është i pranishëm, varfëria më e madhe është ajo shpirtërore - nënvizoi Benedikti XVI. Nënvizim i bërë për të vënë në pah rrezikun e devijimeve në impenjim thjeshtë shoqëror, duke harruar detyrën parësore, që është ungjillëzimi.
Papa Racinger theksoi se me 20 mijë rregulltarët e vet, Shoqëria e Jezusit duhet të vijojë të jetë në vijën e parë të frontit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në një botë ku nuk mungojnë shkaqet e reja që çojnë në varfërimin e njerëzve, duke nisur nga mungesa e drejtpeshimit ekonomik e ambiental, për të vijuar me proceset e globalizmit, të udhëhequra më shumë nga egoizmi, sesa nga solidariteti, e me konfliktet e armatosura shkatrrimtare e të pakuptim.
Papa citoi një nga veprimtaritë e reja largpamëse të Atë Arrupes, Epror i përgjithshëm i jezuitëve gjatë periudhës së vështirë të pas ’98-tës, e pikërisht atë të ndihmës materiale e shpirtërore dhënë pa kursim refugjatëve, të cilët shpesh janë më të varfërit ndër të varfër dhe kanë gjithnjë nevojë për ndihmë njerëzore e psikologjike, tipike për shërbimin e jezuitëve në botë. Ati i Shenjtë i nxiti rregulltarët ta vijojnë me zell të përtërirë këtë impenjim.
E përveç impenjimit për drejtësinë, jezuitët duhet të vijojnë edhe shërbimin e Ushtrimeve Shpirtërore, karakteristik për Shoqërinë që në zanafillën e saj, duke i shikuar si mjet i çmuar e i frytshëm për përforcimin shpirtëror të njerëzve, për t’i mësuar të luten e të meditojnë.
Papa u kërkoi jezuitëve, të cilët prej pesëqind vjetësh, duke sfiduar çdo lloj pengese historike e kulturore e çuan Ungjillin në skajet më të largëta të tokës, të formojnë njerëz me fe të patundur, me kulturë serioze e me ndjeshmëri të vërtetë njerëzore e shoqërore.
“Dëshiroj t’ju inkurajoj ju e sivëllezërit tuaj, të vijoni ecjen në rrugën e këtij misioni, plot besnikëri për karizmën fillestare, në rrethanat kishtare e shoqërore, që karakterizojnë këtë fillim shekulli. Siç jua kanë përsëritur shumë herë paraardhësit e mi, Kisha ka nevojë për ju, shpreson tek ju e vijon të kërkojë plot besim ndihmën tuaj, posaçërisht për të arritur në ato vende fizike e shpirtërore, ku të tjerët nuk arrijnë ose arrijnë me vështirësi”.
Sot – tha në përfundim Papa - nuk janë detet, as distancat e mëdha, që i sfidojnë lajmëtarët e Ungjillit. I sfidojnë më shumë kufijtë që, pas krijimit të një vizioni të gabuar ose të cektë mbi Hyjin e mbi njeriun, e ndajnë fenë nga dijet njerëzore, fenë nga shkenca moderne, fenë nga impenjimi për drejtësi. Janë këta kufij të rinj që duhet t’i kapërcejnë jezuitët, duke i ndihmuar edhe të tjerët ta kuptojnë harmoninë që ekziston ndërmjet fesë e arsyes, për shpëtimin e të gjithë njerëzve në Krishtin.







All the contents on this site are copyrighted ©.