2008-02-21 17:59:27

Kosova nuk do të hyjë në OKB për shkak të vetos ruse


(21.02.2008 RV)Ëndrra e Kosovës për të marrë pjesë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara është e destinuar të mos realizohet. Njohja e një shteti apo qeverie të re mund të bëhet vetëm nga shtetet apo qeveritë e tjera. OKB-ja nuk e ka atë pushtet, thjesht për faktin se nuk është as shtet, as qeveri, por mund të pranojë si anëtar të vetin një shtet të ri, me kusht që askush të mos vendosë veton. Në rastin e Kosovës, Rusia ka premtuar se do të vendosë pa dyshim veton.
E për rolin e Rusisë në çështjen e Kosovës, flet edhe ministri i jashtëm italian, Masimo D’Alema në një intervistë dhënë revistës javore “Espresso”, që do të botohet në numrin e ardhshëm.
“Shqetësimi i rusëve se (pavarësia e Kosovës) do të jetë një precedent që do të ndikojë për keq në ligjin ndërkombëtar është një profeci që do të vetëpërmbushet – thotë D’Alema. Pikërisht paraliza e Këshillit të Sigurimit pengoi që çështja të trajtohej në selinë e OKB-së edhe nën profilin e së drejtës ndërkombëtare. Dhe Evropës nuk mund t’i imponohet gjeografia e vet nga vetoja ruse. Do të ishte shenjë pafuqie”.
Titullari i Farnezinës pranon se ekzistojnë tensione në rritje, shqetësuese, ndërmjet perëndimit dhe Moskës. Sipas D’Alemës, edhe qëndrimi i Rusisë ndaj Kosovës ka të bëjë me planin e saj për t’u kthyer në skenën ndërkombëtare si superfuqi, pas periudhës post-sovjetike, që u përjetua si poshtërim nga ana e rusëve. Kthim që varet nga faktorë objektivë, si lëkundja e prestigjit amerikan pas luftës në Irak dhe rritja e çmimit të naftës, por edhe nga ndonjë gabim taktik i perëndimit, si çështja e sistemit të mbrojtjes me raketa në qendër të Evropës.







All the contents on this site are copyrighted ©.