2008-02-21 17:56:20

Italia njeh shtetin e Kosovës. Në Beograd, 100 mijë vetë protestojnë kundër pavarësisë


(21.02.2008 RV)Kosova njihet zyrtarisht edhe nga Italia, Letonia e Danimarka. Me keqardhje, ambasadorja serbe në Romë, Sanda Raskoviç-Iviç komentoi vendimin e miratuar nga krejt qeveria me përjashtim të Ministrit Paolo Ferrero, të Partisë së Rifondacionit Komunist. Megjithëse ambasadorja largohet nga kryeqyteti italian, e thirrur nga Beogradi, autoritetet e Romës përsëritën qëndrimin e tyre miqësor ndaj Serbisë dhe theksuan se njohja e pavarësisë së Kosovës ishte një akt i domosdoshëm dhe i pashmangshëm.
Deri tani, pavarësisht nga tërheqja e ambasadorëve, ajo që vërtet ndihet është protesta e serbëve. Rreth 100 mijë vetë u mblodhën sot në Beograd për të protestuar kundër pavarësisë së Kosovës. Jo pa qëllim, protesta filloi para ndërtesës së parlamentit të vjetër jugosllav. Po sot, një grup veteranësh të ushtrisë sulmoi me gurë policinë kosovare dhe dogji kopertona në Merdare. Rreth 300 veteranët kaluan kufirin pa u ndaluar nga askush. Probleme ka pasur në Banja Luka, ku sot mijëra vetë manifestuan kundër pavarësisë së Kosovës. Policia ndërhyri kur disa prej protestuesve iu afruan konsullatës së SHBA-ve. Ndërkaq, megjithëse ka deklaruar se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, Rumania u bën thirrje serbëve të ruajnë marrëdhëniet me shtetet evropiane. “Ua them si mik i Serbisë” iu drejtua sot presidenti rumun Trajan Basesku, homologut të tij serb Boris Tadiç, i cili ndodhet për vizitë në Bukuresht.







All the contents on this site are copyrighted ©.