2008-02-21 19:47:39

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(21.02.2008 RV)21 shkurt: Masona me të cilin nis ndihma e parë e shpejtë
Masona ishte got. Në atë kohë populli i tij, vizigotët, dmth gotët e Perëndimit, sundonin Spanjën, të cilën e kishin pushtuar. Por ndërsa vizigotët ishin arianë, dmth nuk besonin se Jezu Krishti është Hyj, Masona, ndryshe prej tyre, besonte në hyjninë e Krishtit, gjë që i krijoi jo pak probleme. Mbreti e dënoi me tri vjet internim, ndërsa bashkëqytetarët bënin çmos t’i zinin pritë e ta vrisnin. …
Po Masona vijonte të shpresonte se një ditë të bukur do të ktheheshin në rrugë të mbarë e do t’i besonin Krishtit. Në qytetin e tij, Merida, një koloni e lashtë romake, banonin popuj të ndryshëm: romakë, grekë, popullsi të ardhura nga lindja, got, hebrenj, sirianë… besimtarë ose paganë. Masona, ipeshkëv i qytetit, sillej plot mirësi e bujari me të gjithë, pa bërë kurrfarë dallimi.
U a ndante me dorë të vet ushqimin, atyre që ishin të uritur. E kur pjatat i dukeshin të vogla, i zëvendësonte me të tjera, më të mëdha.
Kishte ngritur një spital e u kishte dhënë urdhër mjekëve e infermierëve t’i kërkonin të sëmurët nëpër qytet e t’i sillnin në spital për t’i mjekuar. Lindte kështu, për herë të parë në historinë e qytetërimit, ajo që më pas do të quhej ndihma e shpejtë. Kishte themeluar edhe një institut për nevojtarët. Ky institut, ngritur në katedralen e tij kushtuar Shën Eulalies, u jepte hua të varfërve. E këta nuk përndiqeshin, edhe atëherë kur nuk ishin në gjendje ta shlyenin borxhin.
Edhe skllevërve u jepej shumë rëndësi. Ditën e Pashkëve vinin në kishë të veshur me rrobat më të mira, e ipeshkvi lironte gjithnjë disa prej tyre, duke ua blerë të zotërve.
Vepra e Masonës ngadhënjeu në Konçilin e Toledos, mbajtur në vitin 589. Me që ishte ipeshkvi më i vjetër, prej gjashtëdhjetë vjetësh në krye të kishës së vet, e zgjodhën për të kryesuar ceremoninë e pritjes së vizigotëve në Kishën katolike, dmth kthimin e tyre në fenë e Krishtit.
Masona i Meridës realizoi atë që duhet të përpiqet ta bëjë çdo i krishterë: u shërbeu të varfërve. E për më tepër, e bëri këtë me gëzim.Sot në disa vende publike shpërndahen ushqime për njerëzit nevojtarë. Dimrit, kur bën shumë ftohtë, organizohen grupe, që i kërkojnë të pastrehët: i ndihmojnë, u japin batanije e ushqime të ngrohta. Ka edhe banka që huajnë para me përqindje shumë të ultë interesi, duke i ndihmuar të vobektët të shlyejnë borxhet. Të mos harrojmë: rrënjët e këtij solidariteti nisin nga krishterimi. Që nga shekujt e parë, disa të krishterë vunë në jetë, në organizimin e shoqërisë, urdhërimin e Zotit për t’i ndihmuar më të varfërit. Ashtu siç bëri Masona në Meridë të Spanjës në shekullin e largët, të katërt, pas Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.