2008-02-20 19:28:41

Kosova e Pavarur e Sovrane çdo ditë më tepër pranohet nga Shtetet e botës


(20.02.2008 RV)Shtohen shtetet që nga dita në ditë po njohin pavarësinë e Kosovës. Sot dërguan letrat përkatëse dhe shpallën se do të lidhin marrëdhënie diplomatike me Prishtinën, Norvegjia, Gjermania dhe Austria. Ka filluar diskutimi edhe në Itali, ku sot ministri i jashtëm, Masimo D’Alema foli për Kosovën në Dhomën e Deputetëve. Nesër do të mblidhet qeveria për të vendosur përfundimisht mbi njohjen e pavarësisë së Kosovës, e cila për D’Alemën është e domosdoshme. Urime për pavarësinë i shprehën Kosovës edhe arbëreshët e Italisë, të cilët kanë festuar të dielën sëbashku me vëllezërit e tyre në anën tjetër të Adriatikut. Komiteti Italian i tyre “Pro Kosova” i uron punë të mbarë parlamentit.
Ka pasur një përpjekje për ta shfrytëzuar gjendjen e krijuar në Kosovë nga palestinezët, një funksionar i të cilëve deklaroi se edhe ata do ta bëjnë si kosovarët, pra do të shpallin pavarësinë e njëanshme nga Izraeli. Menjëherë, krerët e tjerë sëbashku me presidentin Abu Mazen përgënjeshtruan, duke theksuar se palestinezët do të vazhdojnë bisedimet për paqen me hebrenjtë.
Dje, Parlamenti Evropian i mbledhur në Strasburg, dëgjoi fjalimin e ipeshkvit të Kosovës, imzot Dodë Gjergji, i cili iu përgjigj kryesisht dy pyetjeve: së pari, nëse ekziston mundësia e radikalizimit islamik të Kosovës dhe, së dyti, nëse ka gjasa që të krijohet Shqipëria e Madhe. Për fjalimin e imzot Gjergjit, na njofton nga Kosova, don Agim Çerkini, sekretar i kuries së Prizrenit:RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.