2008-02-20 16:55:02

Audienca e përgjithshme: Papa citon Shën Agostinin si pararendës i laicitetit të vërtetë.


(20.02.2008 RV)RealAudioMP3 Pas ndërprerjes së audiencave, për arsye të Ushtrimeve shpirtërore, Benedikti XVI e rifilloi sot audiencën e përgjithshme të së mërkurës, duke përshëndetur shtegtarët e mbledhur në bazilikën e Vatikanit, për të mbajtur pastaj katekizmin, në Sallën e Palit VI. Papa foli përsëri për figurën vigane të Shën Agostinit, duke nënvizuar se ky Atë i madh i Kishës na mëson laicitetin e vërtetë. I nxiti, më pas, besimtarët të pendohen e të impenjohen bujarisht në ndihmë të vëllezërve, duke u përpjekur ta jetojnë Kohën e Krezhmëve me frymë të vërtetë ungjillore.
“Dëshmitar i madh i Krishtit” – ky ishte Shën Agostini, veprat e panumërta të të cilit – tha Benedikti XVI – kanë rëndësi të jashtëzakonshme, e jo vetëm për historinë e krishterimit. Shembulli më i qartë është vepra ‘Confessiones’’ – apo ‘Rrëfimet’ një nga libat më të lexuar të lashtësisë së krishterë. Të shkruara ndërmjet viteve 397 e 400, gjatë kohës kur shenjti ishte ipeshkëv, janë meditim shpirtëror i bërë para Hyjit, përshkrim i udhës shpirtërore të rektorit të dikurshëm, rrëfim i ligështive të veta, i mëkateve të veta, por edhe lumnim i Hyjit, vështrim i mjerimit vetjak në dritën e Hyjit, që bëhet falënderim ndaj Atij, i cili i do aq shumë njerëzit, dashuri që shndërron e larton drejt vetë Hyjit:
“Janë një lloj autobiografie, por autobiografi në formën e dialogut me Hyjin. E kjo gjini letrare pasqyron pikërisht jetën e Shën Agostinit, jetë që nuk ishte e mbyllur në vetvete, as e përhapur andej e këndej, por jetë e jetuar plotësisht si dialog me Hyjin e kështu, jetë për të tjerët […] Prandaj ka shumë vëllezër, të cilëve u pëlqejnë pa masë këto vepra, e duhet të them se edhe unë jam një nga këta vëllezër”.
Papa foli me hollësi për disa nga veprat e ipeshkvit të Iponës dhe radhiti pranë “Retractationes”- dy libra në të cilët prelati rishikoi të gjitha shkrimet e veta, duke na lënë trashëgim edhe një mësim sinqeriteti e përvujtërie intelektuale – edhe treqind letra, të zbuluara kohët e fundit e gati gjashtëqind homeli, fryt i predikimeve dyzetvjeçare, që na kujtojnë katërmijë predikimet, shumë nga të cilat të shkruara e të korrigjuara, për të hedhur poshtë tezat e heretikëve, për të shpjeguar Shkrimin Shenjt e për të përforcuar në fe bijtë e Kishës. E si të mos flasësh për “Qytetin e Hyjit”? . Vepër madhështore e vendimtare për zhvillimin e mendimit politik perëndimor si dhe për teologjinë e krishterë të historisë – shpjegoi Ati i Shenjtë. Janë njëzet e dy libra, shkruar për t’iu përgjigjur akuzave pagane që fajësonin krishterimin për rënien e Romës, të pushtuar e të plaçkitur nga Gotët në vitin 410, e që theksonin: “Në se kulti i hyjnive e bëri Romën caput mundi, feja e re solli rënien e saj”. Kështu Hyji i krishterë akuzohej si i paaftë për të mbrojtur kryeqytetin e perandorisë romake, prandaj duhej shikuar si një Hyj të cilit nuk mund t’i besohej - tha Papa dhe shtoi: - Agostini shpjegoi ç’duhej pritur nga Hyji e ç’nuk duhej pritur, ç’lidhje kishte ndërmjet sferës politike dhe sferës së fesë e të Kishës:
“Edhe sot ky libër mbetet burim për të përcaktuar mirë laicitein e vërtetë e kompetencën e Kishës, shpresën e madhe e të vërtetë që na jep feja. Mund të themi se libri është një paraqitje e historisë së njerëzmit, të drejtuar nga Provania hyjnore e të ndarë ndërmjet dy dashurive. E kjo është edhe mënyra si e interpreton historinë, në të cilën ndeshen dy dashuri: dashuria për vetveten, deri në indiferencë ndaj Hyjit, e dashuria për Hyjin deri në indiferencë ndaj vetvetes, që e çon njeriun, në liri të plotë, nga vetvetja, tek të tjerët, nën dritën e Hyjit”.
Prej listës së gjatë të shkrimeve agostiniane, Benedikti XVI citoi edhe veprën ‘De Triniatate’, kushtuar besimit në Hyjin – Trini; fytyrës së Hyjit, krijuesit të vetëm të botës; rrethit të dashurisë e misterit të pamatshëm, që në Tri vetje është uniteti më real e më i thellë i të vetmit Hyj”. Vijoi, më pas, me ‘De doctrina Christiana – hyrje e mirëfilltë kulturore për shpjegimin e Biblës e edhe të vetë krishtërimit; me ‘De catechizandis rudibus’, kushtuar problemeve të mësimit që u duhej dhënë shumë të krishterëve të pamësuar. E akoma, kujtoi homelitë e shumta, shpesh të mbajtura me gojë, të shkruara nga takigrafët gjatë predikimit e të vëna menjëherë në qarkullim. Nga prodhimi i pafundmë i Shën Agostinit e nga dashuria e tij e pakufishme për librat e për kulturën – shtoi Papa – u ndikua edhe ikonografia. Edhe në atë që njihet si portreti më i lashtë i Atit të madh të Kishës – një afresk i shekullit VI në Sancta Sanctorum të Lateranit – ipeshkvi i Iponës paraqitet me një libër në dorë, simbol i veprave të tij letrare, që ndikuan aq shumë mbi mendësinë e mbi mendimin e të krishterëve, por edhe i dashurisë së tij për librat, për leximin dhe njohjen e kulturës së krijuar para tij.
Porosiste gjithnjë të ruhej me kujdesin më të madh për pasardhësit Biblioteka e Kishës me të gjithë kodikët, posaçërisht ata që përmbanin veprat e tij”.
Në përfundim Papa kujtoi fjalët e biografit të parë të Shën Agostinit, Posidit, që shkruan se miku ipeshkëv, ‘është gjithnjë i gjallë në veprat tij’ dhe ‘e mbush me kënaqësi këdo që ia lexon shkrimet’.
Krezhmët janë kohë e pendimit të zemrave, e Ushtrimeve shpirtërore dhe e kthimit të njeriut tek Zoti – tha pastaj Benedikti XVI në përshëndetjen drejtuar polakëve, dhe shtoi - prandaj uroj që lutja jonë e ndjetet tona të mira të gjallërohen nga lutja e Shën Agostinit: “E shqetë është zemra jonë, derisa të mos pushojë në Hyjin!”
Ndërsa besimtarëve të mbledhur në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa u bëri këtë urim:
“Udha krezhmore që po përshkojmë, qoftë rast i favorshëm për kthesë, përtëritje shpirtërore, rizgjim të fesë së vërtetë, rifillim të lidhjes shpëtimtare me Hyjin e impenjim ungjillor më bujar. Me vetëdijen se dashuria është stil jete që e dallon besimtarin, uroj të jeni kudo dëshmitarë të dashurisë së krishterë”.
Gjatë përshëndetjeve, Benedikti XVI iu drejtua posaçërisht besimtarëve të Pavisë e të Vigjevanos, ku ishte për vizitë gjatë prillit të kaluar, për të vënë kështu në dukje edhe viset ku ruhen reliket e Shën Agostinit.Të rinjve – në përfundim – Papa u uroi që miqësia me Jezusin të jetë burim gëzimi e shtytje për të zgjedhur rrugë impenjative.







All the contents on this site are copyrighted ©.