2008-02-20 16:55:36

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(20.02.2008 RV)RealAudioMP3 20 shkurt: Rekaredi, mbreti i parë katolik i Spanjës
Të gjunjëzuar para Kryqit, gjyshi e nipi po përfundojnë uratët e mbrëmjes.
“O Zot, bekoje familjen tonë e shtëpinë tonë. Me mirësinë tënde, kujtohu për vendin tonë të ndritshëm, Spanjën. Bëj që të mbetet gjithnjë i shenjtë e i krishterë! Amen”.
Pa e mbaruar mirë lutjen, Alderiku kthehet nga i gjyshi dhe e pyet mendueshëm:
“Babagjysh, pse i lutesh gjithnjë Zotit ta ruajë Spanjën të shenjtë e të krishterë? Ke frikë, ndoshta se mund të ndërrojë rrugë?
“Shiko, vogëlushi im, Spanja ka përshkuar një udhë të gjatë e të vështirë për t’u bërë e krishterë. Lutem që grindjet fetare të së kaluarës, të mos përsëriten kurrë më.”.
“Më trego të lutem, ç’janë këto grindje? Ç’ka ndodhur në Spanjë, para se vendi të bëhej i krishterë?”.
“Shumë kohë më parë vendi ynë ishte i pushtuar nga vizigotët, popull barbar, i ardhur nga lindja. Vizigotët ishin arianë, dmth nuk pranonin se Jezusi është Hyj, ashtu si Ati qiellor. Për këtë arsye grindeshin papushim me fqinjtë e tyre të krishterë, frankët e bizantinët. E jo më pak, edhe me njëri-tjetrin. S’linin rast pa shfrytëzuar për t’i fyer, për t’i poshtëruar e për t’i dhunuar të krishterët. Madje edhe për t’i vrarë, kur mundnin. Tregojnë se një ditë mbreti arian, Amalariku, dha urdhër që e shoqja të mbulohej me llum e me plehra nga koka në këmbë para të gjithëve, vetëm pse kishte guxuar të shkelte në një kishë të krishterë”.
Nipit të vogël, ulur këmbëkryq përballë gjyshit, nuk i shpëton asnjë fjalë nga kjo histori tërheqëse.
“Spanja duhej të priste mbretin Rekaredo, për t’u bërë e krishterë – vijon gjyshi –por edhe ai s’e pati të lehtë ta bënte gjithë popullin për vete e ta kthente në fenë e Krishtit.
Rekaredo ishte arian, ashtu si të parët e vet, por qe prekur thellë nga kthimi i të vëllait, Ermenexhildit edhe i të jatit, Leovixhildit, në fenë e krishterë. Në vitin 587 u kthye edhe ai vetë, por fshehurazi, sepse kjo kthesë mund t’i krijonte probleme të rënda në drejtimin politik të mbretërisë. Në se mbreti i ri do të deklaronte haptas se ishte i krishterë, do të humbiste menjëherë mbështetjen e vizigotëve arianë. Ndërsa po të vijonte ta fshihte për një kohë tepër të gjatë kthimin e tij në kristianizëm, të krishterët spanjollë mund të bashkoheshin me armiqtë e Spanjës e ta rrëzonin nga froni. Mbreti i krishterë ndodhej mes dy zjarresh, që mund ta bënin hi e pluhur jo vetëm atë, por edhe Spanjën.
Për më tepër, shumë nga të krishterët kishin ndikim të madh politik: largimi i tyre do të shkaktonte, pa asnjë dyshim, fundin e sundimit të Rekaredos.Siç po e shikon edhe ti vetë, vogëlushi im, mbreti Rekaredo ishte në një mëdyshje të tmerrshme: iu desh guxim tepër i madh politik e shpirtëror, për të deklaruar haptas para popullit kthesën e tij e për ta bërë edhe atë të krishterë. Po Zoti ia shpërbleu këtë guxim: pak nga pak feja e re e bëri Spanjën t’i harrojë grindjet e vjetra, e bashkoi dhe e fuqizoi, sepse bashkimi bën fuqinë!







All the contents on this site are copyrighted ©.