2008-02-19 17:38:53

U botua dokumenti përfundimtar kushtuar veprimtarisë baritore për njerëzit e pastrehë.


(19.02.2008 RV)Në një shoqëri që lexon raporte shoqërore në funksion të fitimeve ekonomike, është e arsyeshme të pohohet se njeriu pa strehë nuk duhet konsederuar si katalog nevojash që i duhen plotësuar, por si anëtar i shoqërisë, që ka të drejta të barabarta me të gjithë anëtarët e tjerë të saj. Ka të drejtë për punë, për banesë e për mbrojtjen e shëndetit. Nuk është, pra, fajtor për gjendjen në të cilën ndodhet. E, të mos harrojmë – lexohet në dokumentin përfundimtar të takimit të parë ndërkombëtar të baritorisë për njerëzit pa strehë, që u zhvillua pranë Këshillit Papnor për emigrantët dhe endacakët - se në një shoqëri si jona, plot me rreziqe, askush nuk është ekonomikisht i sigurtë. Secili mund të bëhet krejt papritmas, i varfër.
Përballë shtimit të numrit të njerëzve të pastrehë, si në vendet e industrializuara, ashtu edhe në ato në rrugë zhvillimi, Kisha e shoqëria duhet të përcaktojnë objektiva të përbashkëta, të mundshme e të realizueshme.
Në dokument kërkohet që institucionet kishtare të bashkëpunojnë ngushtësisht, duke i dhënë fund prirjes për të punuar vetëm, madje nganjëherë edhe me frymën e konkurencës. Për t’u inkurajuar, edhe nismat ekumenike. Dioqezave u propozohet të venë në dispozicion ndërtesat dhe pasuritë kishtare që nuk janë në përdorim.  







All the contents on this site are copyrighted ©.