(19.02.2008 RV) Kosova pra vazhdon
përjetimin e gëzimit të ditëve historike që karakterizojnë hapat e parë të saj si
Shtet i Pavaraur e Sovran. E në këto ditë e hapa të parë të jetës së pavarur, Kosova
shoqërohet e mbështetët nga Shtetet demokratike të botës, e nga çasti në çast rritet
gjithnjë më tepër nurmi i Vendeve që e njohin shpalljen e Pavarësisë dhe i sigurojnë
mbështetjen e tyre Kosovës në rrugën e re të përuruar të dielën, atë të përforcimit
të demokracisë e të ndërtimit të Shtetit të ri. Edhe Kisha katolike kosovare
është e angazhuar në këtë. Ipeshkvi imzot Dodë Gjergji sot në Shtrasburg para Parlamenti
Evropjan kërkoi njohjen e Shtetit të Kosovës nga Shteteët anëtare të BE-së dhe foli
mbi vlerat shpirtërore e qytetare shekullore të Dardanisë. Kosova pra fillon
të njihet gjithnje me teper nga shtetet e botës. Pas SHBA-ve, Shqipërisë, Afganistanit,
edhe Franca dhe Britania e Madhe njohën zyrtarisht mbrëmë shtetin e ri. Pasuan Turqia,
Australia, Tajvani e Senegali, erdhën përshëndetjen e Konferencës Islamike, e cila
ashtu si Bashkimi Evropian ua ka lënë në dorë shteteve anëtare lidhjen e marrëdhënieve
diplomatike me Prishtinën. Presidenti amerikan Bush, i cili ndodhet për vizitë
në Afrikë, komentoi sot gjendjen e krijuar në Kosovë. Historia do ta tregojë se ky
është vendim i drejtë, që do të sjellë paqen në rajon, theksoi kreu i Shtëpisë së
Bardhë. Kemi qenë gjithnjë të qartë me Rusinë, sqaroi ai duke iu referuar telefonatës
së ministrit të jashtëm rus Lavrov me sekretaren e shtetit, Rajs, gjatë së cilës Moska
përsëriti qëndrimin e saj se pavarësia e shpallur nga Kuvendi i Kosovës është “e papranueshme”
dhe “e rrezikshme”. Sot, Shqipëria vendosi të hapë ambasadën në Kosovë. Ambasadori
i ri është Islam Lauka. Kryeministri Sali Berisha kritikoi ashpër masat serbe kundër
vendeve që njohin pavarësinë e Prishtinës. Beogradi ka thirrur të gjithë ambasadorët
nga vendet e para, që kanë shprehur zyrtarisht vendimin e njohjes së shtetit të ri,
duke filluar kështu vetëizolimin e Serbisë. Nga ana tjetër, presidenti serb Boris
Tadiç paralajmëroi mbrëmë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në Nju Jork se deklarata
e njëanshme e pavarësisë së Kosovës do të shkaktojë “dëme të pariparueshme në rendin
ndërkombëtar”, pasi përbën një precedent të rrezikshëm dhe mund të imitohet nga pakica
të tjera etnike në vende të ndryshme të botës. Siç pritej, u kundërshtua nga SHBA-të
dhe u përkrah nga Rusia e Kina. Ndërkaq, edhe pas thirrjes së përbashkët të presidentit
Tadiç dhe kryeministrit Koshtunica, transmetuar mbrëmë në televizionin publik serb,
për të ndaluar manifestimet e protestat kundër Kosovës, sot në dy pika kufitare ka
pasur probleme. I është vënë zjarri pikës së Jarinjës në Leposaviç dhe ka shpërthyer
një bombë në Banjë të Zubin Potokut. Policia kosovare dhe ndërkombëtare janë tërhequr
duke ua lënë në dorë kufirin ushtarëve të KFOR-it, të cilët flasin për “shkallëzime
dhe ndërlikime të gjendjes” në anën serbe të tij. Manifestuan edhe studentët e Mitrovicës,
të cilët premtuan të protestojnë çdo ditë deri më 17 mars në orën 12.44 (sipas numrit
të rezolutës së OKB-së dhe sipas datës në të cilën në vitin 2004 ndodhën djegiet e
problemet e njohura si “trazirat e marsit” në Kosovë). Sot mbërriti në Prishtinë për
takime me autoritetet, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikën e jashtme,
Havier Solana. Sot pasdites Kuvendi i Kosovës shqyrtoi projektligjet nga Propozimi
Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Shqyrtimi i parë është ai i
Projektligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme, pastaj atij për privilegje dhe imunitete
diplomatike, për shtetësinë, për policinë, për Inspektoratin policor, për dokumentet
e udhëtimit, për përdorimin e simboleve shtetërore, për zonat e veçanta të mbrojtura,
për vetëqeverisjen lokale si dhe ai për kufijtë administrativë komunalë. Më hollësisht
të dëgjojmë Rabije Ibrajn nga Prishtina…