2008-02-19 17:38:15

Atmosferë emocionesh në Kubë, ku pritet kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, që do të jetë në Ishull më 21 deri më 26 shkurt.


(19.02.2008 RV)RealAudioMP3 U publikua programi i plotë i vizitës që do të bëjë së shpejti në Kubë kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit. Ngjall shumë emocion pritja e tij në ishullin karaibik, që përkujton këto ditë dhjetëvjetorin e shtegtimit apostolik të Gjon Palit II.
“Do të jetë si të rijetohen çastet e hirit të shtegtimit historik e të paharrueshëm të Gjon Palit II, pikërisht dhjetë vjet para kësaj vizite, që la në Kubë një Kishë më të gjallë, më pranë realitetit të popullit të tonë e të shoqërisë sonë” – këto janë fjalët entuziaste me të cilat kardinali Xhejm Ortega, kryeipeshkëv i Havanës, përshkroi gjatë një interviste televizive, atmosferën e pritjes së kardinalit Tarçizio Bertone.
Një program i ngarkuar me veprimtari e me çaste të posaçme e pret Hirësinë e Tij, që do t’i nisë takimet të enjten paradite me vizitën në Seminarin e Shën Karlit e të Shën Ambrozit, për të kryesuar, më pas, Meshën Shenjte në Katedralen e Havanës. Ditën e premte do ta fillojë në mëngjes herët, me kremtimin eukaristik në Kuvendin e karmelitaneve; më pas do të takohet me klaustralet, me rregulltaret karmelitane e domenikane e, në mjediset e Karmelit, me kryesinë e Konferencës kubane të rregulltarëve e rregulltareve të Havanës. Pasdite në Santa Klara, shkëmbimi i përshëndetjeve me përfaqësuesit e klerit, të rregulltarëve dhe të personelit që punon në kryeipeshkvi.
Të shtunën paradite, më 23, gjithnjë në Santa Klara, kardinali Bertone do të kremtojë Meshën Shenjte dhe do të përurojë monumentin kushtuar Gjon Palit II. Pasdite, në Santiago të Kubës, Hirësia e Tij do t’i prijë Rruzares Shenjte në Shenjtëroren e “Virgen de la Caridad del Cobre” me të rinjtë e besimtarët, me rastin e dhjetëvjetorit të kurorëzimit të Zojës së Bekuar.
Të dielën, më 24 shkurt, në Sheshin Pedro Agustin Pérez i Perez të Guantanamos do të kremtojë Meshën për dhjetëvjetorin e themelimit të dioqezës e pastaj do të bekojë ndërtesën episkopale dioqezane. Në mbrëmje, në Havanë, sekretari i shtetit të Vatikanit do të darkojë në nunciaturë me autoritetet kubane dhe me Komitetin e përhershëm të ipeshkvijve.
Më 25 paradite, përsëri në Havanë, takimi në Ministrinë e Punëve të Jashtme e më pas, pritja e organizuar nga i njëjti dikaster për Trupin Diplomatik. Pasdite, konferenca e kardinalit Bertone në Universitetin e Havanës me temë “Kultura dhe themelet etike të jetës njerëzore”.
Të martën, 26 shkurt, dita e fundit e vizitës, paradite kardinali Bertone do të kremtojë Meshën në Penalver dhe do të takohet me salezianët e salezianet e Havanës, pastaj do të vizitojë Shkollën e Mjekësisë Latinoamerikane. Nuk është saktësuar akoma data e takimit me autoritetet civile, që mund të jetë 25 ose 26 shkurti.Kujtojmë se të krishterët e Kubës përbëjnë 42% të popullsisë e janë pothuajse krejtësisht katolikë. Përsa i përket situatës politike, një vit e gjysëm më parë udhëheqja e vendit kaloi në duart e Raul Kastros, vëllaut të Fidelit, në pushtet që nga viti 1959. E pikërish sot Fidel Kastro njoftoi se heq dorë nga detyra e presidentit të Kubës, pas 49 vjetësh në pushtet.







All the contents on this site are copyrighted ©.