2008-02-18 19:17:19

SHBA-të dhe Shqipëria njohin pavarësinë e Kosovës


(18.02.2008 RV)SHBA-të njohën zyrtarisht Kosovën “si shtet sovran dhe të pavarur”. Pas deklaratave të presidentit amerikan Bush nga Tanzania, është sekretarja e shtetit, Kondolica Rajs ajo që bën njohjen formale e zyrtare të shtetit të ri.
Të parat ndër të gjitha vendet e tjera, SHBA-të, me një komunikatë të Departamentit të Shtetit, bënë të njohur deklaratën e Kondolica Rajs, ndërsa ajo vetë ndodhet në Kenia. Presidenti Bush do të bëjë një koment zyrtar mbi Kosovën nesër, sqaroi Shtëpia e Bardhë. Në komunikatë u bëhen urime kosovarëve për shtetin e ri dhe theksohet se “presidenti Bush i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Kosovës për të lidhur marrëdhënie diplomatike”. Pavarësia konsiderohet si i vetmi opcion i mundshëm për paqen në Ballkan. Kondolica Rajs vë në dukje se rasti i Kosovës është i veçantë dhe nuk mund të përdoret për situata të tjera në botë. Në fund, sekretarja e shtetit shpreh miqësinë që lidh Uashingtonin me Beogradin “aleat në dy luftra botërore” dhe e fton Serbinë të bashkëpunojë me vendet e tjera për të ardhmen e bashkësisë serbe në Kosovë.
Sipas premtimit, menjëherë pas Amerikës, edhe Shqipëria njohu zyrtarisht shtetin e pavarur të Kosovës. Deklarata u bë nga kryeministri Sali Berisha.







All the contents on this site are copyrighted ©.