2008-02-18 19:22:56

BE-ja i lë të lira vendet e saj ta njohin Kosovën, por e konsideron rast "sui generis". 12 shtete do ta njohin brenda së enjtes


(18.02.2008 RV)Bashkimi Evropian u njeh të drejtën shteteve anëtare të lidhin marrëdhënie me Kosovën, sipas ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe e quan shpalljen e njënashme të pavarësisë nga ana e Prishtinës si rast “sui generis”, pra krejt të veçantë e të papërsëritshëm, dhe të tillë që nuk krijon precedent. Shtetet e para që deklaruan se do ta njohin pavarësinë e Kosovës janë Franca, Gjermania, Italia, Austria dhe Britania e Madhe, ministrat e jashtëm të të cilave u shprehën për këtë qëllim menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të ministrave të Bashkimit Evropian, që u zhvillua sot në Bruksel. Sipas burimeve evropiane, të paktën 12 vende të kontinentit të vjetër do ta njohin pavarësinë e Kosovës brenda së enjtes.
Vazhdojnë edhe reagimet e shteteve dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, ndërsa presidenti dhe kryeministri i Kosovës u kanë dërguar menjëherë kërkesën për njohjen e shtetit të ri, 192 vendeve të botës.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së, pasi përfundoi mbrëmë pa ndonjë rezultat është mbledhur sërish sot, në praninë e presidentit serb, Boris Tadiç, i cili u nis urgjentisht për në Nju Jork.
Serbia akuzon presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi se “kanë organizuar në territorin serb shpalljen e pavarësisë së një shteti të rremë”. Sipas Ministrisë së Brendshme, krerët e Prishtinës “kanë kryer akte serioze kriminale kundër rendit kushtetues dhe kundër sigurisë së Serbisë”.
Ndërkaq, në Bruksel u zhvillua sot një mbledhje e vështirë e ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian. Pas diskutimesh të shumta mbi bazën e dy dokumentave, presidenca sllovene paraqiti propozimin përfundimtar, që merrte parasysh idetë e Spanjës, e cila nuk do ta njohë Kosovën si të pavarur, sëbashku me Qipron, Rumaninë, Sllovakinë dhe Greqinë. Në tekst thuhet se “Këshilli i ministrave shpreh mendimin që shtetet anëtare mund të vendosin, sipas praktikave kombëtare e normave ndërkombëtare, të lidhin marrëdhënie me Kosovën si shtet i pavarur nën mbikqyrjen ndërkombëtare”. Në deklaratë nuk përmendet fjala “njohje”, por nënvizohet se status quo-ja nuk mund të mbështetet më. Gjithashtu theksohet se “duke pasur parasysh konfliktin, spastrimin etnik dhe katastrofën humanitare të viteve ’90, si edhe kohën e gjatë të administrimit nga jashtë, Kosova përbën një rast “sui generis”, pa krijuar asnjë lloj precedenti”. Duma ruse, nga ana tjetër, ka dënuar sot deklaratën e pavarësisë së Kosovës, duke e quajtur si dhunim të parimit të integritetit territorial.







All the contents on this site are copyrighted ©.