2008-02-17 19:40:36

Selia e Shenjtë pret kërkesën e Kosovës për njohjen e pavarësisë dhe uron qetësi e pajtim.Notë e Atë Federiko Lombardit.


(17.02.2008 RV)Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shtete dhe personalitete të ndryshme të botës mbajtën qëndrim pro ose kundër. Të dëgjojmë së pari, reagimin e zëdhënësit të Selisë së Shenjtë dhe drejtorit të përgjithshëm të Radio Vatikanit, Atë Federiko Lombardi
RealAudioMP3 Me rastin e shpalljes se njëanshme të pavarësisë së Kosovës, shumë pyesin se cili është qëndrimi i Selisë së Shenjtë, e cila i ka ndjekur dhe i ndjek ngjarjet me kujdes të madh dhe me urimin e sinqertë që në këtë moment delikat, përgjegjësia dhe shpirti i paqes të mbizotërojnë ndaj çdo qëndrimi tjetër, si ndër qeveritarët, ashtu edhe ndër popujt e përfshirë. Por për të fokusuar më mirë qëndrimin e Selisë së Shenjtë duhet të bëjmë disa hapa mbrapa.

 
Para së gjithash, duhet të kujtojmë sa herë Selia e Shenjtë ka ndërhyrë gjatë krizës së vitit 1999, si në nivelin diplomatik, ashtu edhe në atë humanitar, për të vënë në dukje parimet që duhet të frymëzojnë marrëdhëniet ndërmjet popujve e për të promovuar ndihmën ndaj të shpërngulurve dhe refugjatëve sipas mjeteve ndërkombëtare në fuqi.
Më pas, Selia e Shenjtë është impenjuar aktivisht për stabilitetin dhe paqen në rajon, duke mbështetur atë qëndrim që kishte për qëllim shmangien e zgjidhjeve të imponuara e favorizimin e negociatave të drejtpërdrejta ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, për të arritur në një zgjidhje realiste dhe të respektueshme të aspiratave të palëve të ndryshme. Gjatë bisedimeve të dy viteve të fundit, u morën në konsideratë me kënaqësi marrëveshjet e arritura në çështje të ndryshme teknike, duke vazhduar, nga ana tjetër, të urohet që vullneti dhe elasticiteti politik të arrinin gjetjen e një zgjidhjeje konsensuale përfundimtare për statusin juridik të Kosovës.
Deklarata e njëanshme e pavarësisë kosovare – që mbështetet mbi bazën e rekomandimeve të planit të ndërmjetësuesit të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari – krijon një situatë të re, që natyrisht do të ndiqet me vëmendje të madhe nga Selia e Shenjtë, së cilës do t’i duhet të vlerësojë edhe kërkesat e mundshme që mund t’i vijnë lidhur me të.
Por në këtë moment, Selia e Shenjtë ndjen para së gjithash përgjegjësinë e misionit të saj moral dhe shpirtëror, që ka të bëjë edhe me paqen e me rregullin në marrëdhëniet ndërmjet kombeve, prandaj i fton të gjithë, në veçanti përgjegjësit politikë të Serbisë dhe Kosovës, të jenë të kujdesshëm dhe të moderuar, si edhe kërkon një impenjim të vendosur e konkret për të mos lejuar reagime ekstremiste dhe pasoja të dhunshme, në mënyrë që të krijohen që tani premisat për një të ardhme në respekt, pajtim e bashkëpunim.
Përveç kësaj, duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë mbrojtjes së demokracisë dhe të shtetit të së drejtës, e edhe në Kosovë duhet të zbatohen standartet ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të pakicave e të të gjithë banorëve, pa dallim etnie, feje, gjuhe apo kombësie, po ashtu duhet të vigjëlohet mbi mbrojtjen e pasurisë së çmueshme artistiko-kulturore të krishterë. Qëndrueshmëria e rajonit duhet nxitur me çdo mënyrë, e për këtë shpresojmë edhe në kontributin e rëndësishëm të Bashkësisë ndërkombëtare.
Nga ana e tij, Ati i Shenjtë vazhdon të shohë me dashuri popullsitë e Serbisë dhe të Kosovës, është pranë tyre dhe u siguron lutjet e tij në këtë moment kyç të historisë së tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.