(17.02.2008 RV)“Kjo është dita e rilindjes së kombit – komentoi i pari kryeministri
i Shqipërisë, Sali Berisha. Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës korrigjohet një padrejtësi
historike”. Tirana, Shkupi dhe Prishtina ishin të bashkuara në transmetimet e drejtpërdrejta
dhe në festimet e pavarësisë. Në të gjithë botën, para selisë së Bashkimit Evropian
në Bruksel e para ambasadave amerikane, por edhe nëpër rrugë, kudo ku ka shqiptarë,
janë organizuar manifestime spontane për të shprehur gëzimin e shqiptarëve të Kosovës
për pavarësinë. Reagimet nga shtetet e tjera të botës akoma vazhdojnë. Presidenti
amerikan Bush, nga Tanzania ku ndodhej sot, deklaroi se është në favor të një shteti
mbështetur mbi planin e Ahtisarit. SHBA-të bëjnë thirrje për qetësi dhe shmangien
e provokimeve. Britania e Madhe i bëri urimet Prishtinës dhe theksoi se është gati
ta mbështesë edhe ushtarakisht pavarësinë e Kosovës. Pritet që nesër, pavarësia të
njihet zyrtarisht nga Italia, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania. Bernar Kushner,
ministri i jashtëm francez dhe kreu i parë i misionit ndërkombëtar në Kosovë i uroi
fat shtetit të ri. Ministri i jashtëm i Irlandës shprehu qëndrimin e qeverisë së tij
për njohjen e pavarësisë. Ministria e jashtme e Tajvanit përshëndet me një deklaratë
urimi. Notave festive u kundërvihen notat e zymta të Serbisë dhe Rusisë. Në mbledhjen
e parlamentit serb, menjëherë pas atij kosovar, kryeministri Vojisllav Koshtunica
deklaroi se Beogradi nuk do ta njohë kurrë një shtet të paligjshëm dhe akuzoi Bashkimin
Evropian se i është nënshtruar vullnetit amerikan, burim i të gjitha të këqiave, sipas
kreut të qeverisë serbe. Peshkopi Artemije i kishës ortodokse serbe kërkoi madje një
bashkëpunim me Moskën për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë e sot u ndalën në Merdare
një grup serbësh me uniformë. Nga ana e saj, Rusia kërkoi dhe arriti të mbledhë Këshillin
e Sigurimit të OKB-së, të cilit i kërkoi të anullojë deklaratën e shpalljes së pavarësisë
së Kosovës. Në një intervistë, kryeministri kosovar Hashim Thaçi i bën thirrje
Izraelit ta njohë pavarësinë e Kosovës. “Ju sigurojmë se nuk do të jemi një shtet
islamik”, nënvizon ai.