2008-02-17 19:58:41

Një shekull rrugëtimi deri te pavarësia


(17.02.2008 RV- marrë nga KosovaLive)Që nga periudha kur Shqipëria u bë shtet i pavarur me kufij të cunguar, e deri më 17 shkurt të këtij viti, u deshtë të bëhen 96 vjet rrugë dhe të zhvillohen qindra luftëra, të vriten dhe të shpërngulen qindra mijëra njerëz, të burgosen mijëra të tjerë, të sakrifikohen gjenerata e gjenerata për të realizuar një qëllim.
Rruga e gjatë, me shumë sfida e mundime dhe me shumë gjak u shpagua më 17 shkurt, kur të zgjedhurit e popullit shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Më 28 nëntor të viti 1912, delegatët e të gjitha trevave shqiptare, pas një rrugëtimi të gjatë, arritën në Vlorë dhe nën udhëheqjen e Ismail Qemalit, shpallën Shqipërinë shtet të pavarur dhe sovran. Mirëpo Shqipëria e cila fillimisht nuk u njoh nga shtetet ballkanike dhe nga Rusia cariste, më vonë u copëtua në pesë pjesë.
Ndarja u zyrtarizua në Konferencën e Ambasadorëve në Londër që u mbajt në vitin 1913, e cila u mbajt menjëherë pas Luftës Ballkanike. Kosova sipas marrëveshjes së Londrës, i mbeti nën administrim Serbisë, sikurse që mbetën nën administrimin e Malit të Zi dhe Greqisë, Çamëria, Fusha e Pollogut, Ohri, Struga, Dibra, Ulqinin, Tivari, Plava e Gucia.
Në marrëveshjen e Londrës, përfaqësuesit e fuqive të mëdha zgjodhën një opsion neutral, në mes propozimit rus që ishte për aneksimin e pjesës më të madhe të Shqipërisë dhe Austro-Hungarisë që e kërkonte Shqipërinë me kufij shumë më të gjerë se që i ka sot (24 mijë kilometra katrorë).
Konferenca e Ambasadorëve të Londrës, siç e përshkruajnë nga retrospektiva historianët, e lë plagën e hapur të shqiptarëve, të cilët duhet të fillojnë nga e para për të zhbërë atë që ishte bërë gabimisht. Kështu menjëherë në Kosovë filluan pakënaqësitë dhe luftërat kundër Serbisë. Ndërkaq kjo e fundit filloi shtetrrethimin e Kosovës. Madje vetëm për tri vite (1912-1915), Serbia shpërnguli me dhunë rreth 60 mijë shqiptarë.
Të pakënaqur, shqiptarët filluan spontanisht kryengritjen, fillimisht nën drejtim të Bajram Currit e Hasan Prishtinës, më vonë edhe nën drejtim të Azem Galicës. Po ashtu, Kosova u bë arenë luftimesh edhe në luftën e Parë Botërore e gjithashtu vazhduan pandalshëm përpjekjet për ribashkim me Shqipërinë.
Pas pushtimit serb (Serbisë së parë), Kosova në vitin 1916 pushtohen nga Bullgaria dhe Austro-Hungaria. Këto dy shtete ndanë Kosovën në zona të interesit. Rrafshi i Dukagjinit bashkë me një pjesë të Drenicës dhe Shala e Bajgores me Mitrovicë, ranë në pushtimin Austro-Hungarez, ndërsa Kosova Lindore, Lugina e Preshevës dhe Lugina e Pollogut, deri në Prespë i mbeti Bullgarisë.
Dy vjet më vonë, shqiptarët organizuan kryengritje dhe brenda një periudhe jo të gjatë e çliruan Kosovën e cila pas pak sërish pushtohet nga serbët. Dhe nga mesi i viteve ’20 deri në luftën e Dytë Botërore vazhduan luftime kaçake kundër Serbisë, por pa ndonjë sukses.
Më 1924 Serbia arriti ta vrasë Azem Galicën ndërsa shpartalloi edhe çetat tjera kryengritëse shqiptare. Ferhat Draga u dënua me 100 vjet burg. Shumë shqiptarë të tjerë u vranë, shumë fshatrave iu vu zjarri, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë u shpërngulen për në Turqi e Shqipëri.
Serbia filloi të implementojë në Kosovë reformat agrare. Gjithë atë pasuri që fitonin shqiptarët e Kosovës brenda një viti ishin të obliguara t’ia dorëzojnë mbretërisë serbe. Po ashtu, Serbia filloi shpronësimin e tokave të shqiptarëve duke i kthyer ato për kolonë serbë.
Vetëm në mes dy luftërave (1918-1941) Mbretëria Serbe solli në Kosovë mbi 15 mijë familje kolonësh serbë me rreth 75 mijë banorë. Ky kolonizim ndryshoi edhe strukturën etnike në Kosovë. Në vitin 1912 shqiptarët përbënin gati 95 për qind të popullsisë së Kosovës ndërsa në vitin 1941 kjo përqindje ra në 70 për qind.
Prandaj historikisht thuhet se rreth 500 mijë shqiptarë të Kosovës u bënë skllevër të rinj në tokat e tyre. Ndërsa edhe 250 mijë të tjerë u detyruan të shpërngulën për në Turqi dhe Shqipëri. Serbia me këtë rast aplikoi një projekt të mëhershëm të njohur si “Nacertania” e Nikola Garasanin-it për spastrimin e Kosovës nga shqiptarët.
Mirëpo edhe ky shtresim nuk ia ndali hovin që ta shpopullojë Kosovën nga shqiptarët. Ata vazhduan më shumë mundim me gjak rrugën drejt lirisë.
Lufta e Dytë Botërore (1941-1945) Kosovën dhe viset tjera shqiptare i gjeti nën pushtimin sllav. Prandaj invadimi i fashizmit dhe nazizmit fillimisht u duk si shpresë për t’i ikur zgjedhës serbe dhe si alternativë për të bashkuar Kosovën me Shqipëri.
Në këtë luftë, shqiptarët u ndanë në dy taborre, komunistët që bënin luftë anti-fashiste dhe luftonin për një shtet socialist dhe ballistët që luftonin për bashkimin e të gjitha trojeve në një shtet shqiptar.
Më 14 shtator 1943 në Prizren u mbajt Lidhja e Dytë e Prizrenit me në krye Bedri Pejanin. U mor vendim që nën administrimin Italo-Gjerman të luftohet për Shqipërinë etnike. Përpjekja dështoi, sikurse dështoi edhe përpjekja tjetër e Krahut Antifashistë pas një konference që mbajtën në Bujan të Tropojës. Kjo mbledhje u quajt si Konferenca e Bujanit ku u mor vendim që Kosova dhe viset tjera shqiptare të bashkohen më Shqipërinë, por vendimet e kësaj konference u devalvuan nga komunistët.
Dhe pas kapitullimit të Gjermanisë, Kosova sërish mbeti pjesë e Jugosllavisë, si krahinë autonome nën Serbi. Ndërsa brigadat serbo-malazezo-maqedonase u urdhëruan që t’i shuajnë forcat kundërrevolucionare në Kosovë dhe viset shqiptare. Sipas statistikave, nga viti 1945-1948 u vranë mijëra shqiptarë, ndërkohë që krimet më të rënda u bënë në Karadak dhe Drenicë.
Në vitet ’50-ta Serbia aplikoi metodën e re për shpërnguljen e shqiptarëve. Ajo fillimisht i detyroi shqiptarët që të deklarohen turq, ndërsa më vonë filloi edhe aksionin për kërkimin e armëve e njohur si “periudha e Rankovic-it”. Nga represioni dhe dhuna vetëm për dy vjet për Turqi u larguan 74 mijë kosovarë.
Dhuna e Serbisë filloi t’i vejë në shënjestër të gjithë intelektualët shqiptarë. Vetëm në vitet ’50 u burgosën rreth 500 veta të cilët përfunduan në burgun famëkeq Goli Otok.
Në vitin 1968, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, u organizuan demonstrata në të gjitha rajonet shqiptare. U kërkua ndryshimi i kushtetutës, flamuri kombëtar dhe universiteti. Edhe këto demonstrata nuk kaluan pa gjak, pa burgosjen e shumë djemve të rinj, por fundi ishte i suksesshëm.
Më 18 nëntor 1969 Kuvendi Krahinor i Kosovës miratoi ligjin për Universitetin e Prishtinës. U lejua edhe përdorimi i flamurit, ndërsa në vitin 1974 u ndryshua edhe Kushtetua e Jugosllavisë, ndërsa Kosova u bë element konstituiv i Federatës Jugosllave.
Mirëpo, edhe ndryshimi i kushtetutës nuk ishte i mjaftueshëm. Studentët shqiptarë të UP-së me 11 mars 1981 organizuan demonstrata gjithë-popullore me kërkesë për Kosovën Republikë, të cilat u shuan me gjak. Vetëm në demonstratën e Prishtinës u vranë 9 dhe u plagosën 15 shqiptarë. Ndërsa vetëm deri në vitin 1985 u burgosën rreth 4 mijë qytetarë shumica të rinj, studentë dhe arsimtarë.
Nga viti 1981 deri në vitet ’90, Kosova u shndërrua në një kamp të madh të ushtrisë dhe policisë jugosllave. Këto të fundit u munduan të shuajnë euforinë e shqiptarëve, të cilët edhe në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90 vazhduan pareshtur protesta kundër regjimit të Serbisë dhe Jugosllavisë. Në këto protesta nga policia u vranë rreth 200 protestues.
Regjimi i Serbisë nën drejtimin e Slobodan Milosevic-it famëkeq, në fillim të dekadës së kaluar, shkuli çdo gjë që kishin mbjellur shqiptarët: mbylli universitetin, të përditshmen Rilindja, Radiotelevizionin e Prishtinës dhe largoi nga puna të gjithë shqiptarët nga të gjitha institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore.
Nëpër organet e policisë, nga viti 1981 deri në vitin 1998 kaluan rreth 700 mijë shqiptarë: 10 mijë veta u dënuan për kundërvajtje, ndërsa rreth 4 mijë morën dënim mesatar prej 7.1 vjet burg. Në këtë periudhë gjithashtu u dënuan rreth 1.347 ushtarë shqiptare në APJ ndërsa 67 u vranë në kazerma.
Gjatë kësaj kohe emigruan në shtetet perëndimore rreth 500 mijë shqiptarë, ndërsa shërbimet e inteligjencës serbe arritën t’i vrasin disa nga organizatorët e diasporës.
Mirëpo, gjithë kësaj i erdhi fund. Në vitin 1997 pas disa vjet rezistence paqësore, shqiptarët vendosën t’i kundërpërgjigjen Serbisë dhe regjimit të dhunshëm të saj me mjete luftarake.
Më 28 nëntor 1997 në Llaushë të Skenderajt doli në skenë për të parën herë Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) e cila u pa si shpresa fundit për të dalë nga zgjedha e Serbisë.
Më 5 mars 1998 në Prekaz të Drenicës, Adem Jashari dhe Jasharët legjendarë iu kundërpërgjigjen hapur forcave serbe. Në këtë betejë që u perceptua si kthesa e madhe për shqiptarët, u vranë 50 anëtarë të familjes Jashari.
Mirëpo lufta e Jasharëve i dha forcë UÇK-së e cila për 17 muaj arriti t’i mbledh rreth vetës mijëra ushtarë dhe t’i kundërpërgjigjet regjimit të Milosevic-it.
Lufta e UÇK-së e shtyri bashkësinë ndërkombëtare që në Rambuje te Francës të organizojnë një konference për paqe. Në këtë konferencë palës kosovare i priu përfaqësuesi i UÇK-së dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Mirëpo Serbia e cila nuk i pranoi rezultatet e marrëveshjes periudhën e bisedimeve e shfrytëzoi për t’i sofistikuar radhët në terren.
Në pamundësi për t’u ballafaquar me UÇK -në forcat e kombinuara-policore-ushtarake dhe paramilitare serbe, vranë rreth 12 mijë civilë shqiptarë, shumica gra, fëmijë e pleq, dhe dogjën rreth 200 mijë shtëpi. Po ashtu Serbia depërtoi jashtë Kosovës rreth një milion shqiptarë. Dhuna që aplikoi Milosevic-i detyroi Aleancën e NATO-s që të sulmojë nga ajri forcat serbe.
Kështu në korrelacion, UÇK nga toka dhe NATO nga ajri, më 12 qershor 1999 detyruan Milosevic-in të nënshkruajë kapitulimin. Nga viti 1999 shqiptarët jetuan të lirë, nën administratën ndërkombëtare. Sot pas gjithë kësaj sakrifice, u realizua qëllimi dhe dëshira e mijëra atyre që ranë në altarin e lirisë në një shekull rrugëtimi - pavarësia e Kosovës. /milaim shefkiu/







All the contents on this site are copyrighted ©.