2008-02-17 20:35:52

Kosova krenare, e pavarur dhe e lirë. Kuvendi i Prishtinës sot më 17 shkurt miratoi Deklaratën e Pavarësisë, duke e bërë Kosovën Shtetin më të ri në botë, dhe miratoi simbolet shtetërore.


(17.02.2008 RV)RealAudioMP3 17 shkurti 2008 për qytetarët e Kosovës është ditë historike, ditë e dhuruar prej Zotit. Parlamenti i Prishtinës sot e shpalli Kosovën Shtet të pavarur e Sovran. Me gëzim të madh të gjithë shqiptarët e Kosovës por edhe të Shqipërisë, të Maqedonisë e të trevave të tjera shqiptare si dhe të diasporës bashkëkremtuan ngjarjen historike, aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, prandaj të ngazëllohemi dhe të gëzohemi për këtë.
Kosova e njohur si tokë e besës, e nderit dhe e burrërisë i thotë Pavarësisë: Mirë se vjen, çka vjen prej Zotit e prej zemrave, mendjeve e duarve, prej flijimit e gjakut të çmueshëm të bijve e bijave dardanë.
Eshtë Kosova e ungjillëzuar nga epoka apostolike, e cila njohu momente të rëndësishme, të lavdishme e të mundimshme në historinë e saj. E sot është përuruar një epokë e re e ka filluar përshkimi i udhës së vlerave demokratike që lypet të kultivohen, të përforcohen, të mishërohen e të rrezatohen në jetën e përditshme të të gjithë qytetarëve për rindërtimin e indit shoqëror, të strukturave shtetërore për të mirën e të gjithëve pa kurrfarë dallimi apo përjashtimi. Pavarësia nuk është kunder askujt, por për synimin e arritjes së një jete të lirë, të drejtë, të vërtetë, të bazuar mbi vlera njerëzore, shoqërore, demokratike e shpirtërore që i shërbejnë njeriut dhe atë e mbrojnë kurdoherë.







All the contents on this site are copyrighted ©.