(17.02.2008 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e dytë të Kohës së Krezhmëve.
U përkujtuan edhe Shtatë Themeluesit e Urdhërit të Shërbëtorëve të Marisë, ndërmjet
të cilëve, edhe Aleks Falkonieri.
Nesër, e hënë, është festa e të Lumit
Gjoni nga Fiezole, i njohur me emrin Beato Angjeliko, meshtar domenikan. Na kujton
se duhet të japim, aq sa kemi marrë, në se duam që Zoti të ketë mëshirë për ne. E
kjo nuk është vetëm drejtësi, por edhe dëshmi që tregon se e meritojmë vërtetë dashurinë
e Hyjit.
Hipokrizia është sjellje e padenjë, të cilën Jezusi e dënon me forcë.
Kush e ka këtë ves tepër të keq, nuk mund të quhet nxënës i Krishtit – na kujton
liturgjia në festën e Shën Konrrad Konfalonierit, vetmitar françeskan, që do të
përkujtohet të martën.
Shën Leoni i Katanies, ipeshkëv e Shën Eleuteri,
që Kisha do t’i festojë të mërkurën, na kujtojnë se nxënësit e Krishtit nuk
duan të besojnë se po afrohen mundimet e Zotit; përkundrazi, duan ta shikojnë Jezusin
në lartësinë e një prijësi të madh politik, që çliron, që sundon. Po Mësuesi Hyjnor
u kujton shkallën e re të vlerave.
Të enjten është festa e Shën Pier
Damianit, ipeshkëv i Osties, kardinal e doktor i Kishës, kamaldolez. Liturgjia e
festës së tij na çon në skenën familjare të Lazrit të varfër, që shtrihet përdhe para
portës së pasanikut të pamëshirshëm. Më pas shikojmë sesi Lazri i mjerë fiton lumninë
e amshuar, në sa i pasuri i pamëshirshëm, dënimin e amshuar. Edhe sot Krishti na kujton
se nxënësit e tij duhet t’i binden ligjit të dashurisë, në se duan të jenë vërtetë
të tillë.
Në festën e Katedrës së Shën Pjetrit Apostull,
të Shën Maksimianit të Ravenës e të Shën Margaritës së Kortonës, të premten e
ardhshme,në liturgji lartohet plot besim drejt qiellit zëri i Psalmistit:
“Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon!”. Festa e Katedrës së Princit të Apostujve,
na kujton se epërsia e Pjetrit dhe e pasardhësve të tij nuk është epërsi sundimi,
por epërsi në shërbim të grigjës që u është besuar.
Polikarpi, ipeshkëv i
Smirnës e martir e Shën Gjyzepina Vanini, virgjër, që do të kremtohen të shtunën
– na kujtojnë se Ati është gjithnjë te pragu, në pritje të kthimit tonë. Tek ai
nuk paraqitemi si shërbëtorë, sepse një të arritur, Ai, na rijep menjëherë dinjitetin
pafundmë të bijve.
E diela e ardhshme është e treta e Krezhmëve, një hap i
ri përpara drejt Pashkëve.