2008-02-16 13:36:20

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(16.02.2008 RV)16 shkurt: Sigismundi: historia e kthimit të burgundëve në fenë e krishterë.
Ç’ po bëjnë vallë këta njerëz të përkulur mbi grykën e një pusi, me litarë në duar, në zemër të natës? Thua kërkojnë ndonjë thesar?
Jo, këta burra janë murgjër e nuk kërkojnë monedha ari. E megjithatë duhet thënë se çka kërkojnë në fund të pusit, është vërtetë thesar, ndonëse tepër i veçantë…
Shumë shpejt përpjekjet e murgjërve shpërblehen: nxjerrin nga pusi katër trupa njerëzish: ndonëse kanë vdekur katër vjet më parë, janë krejt të pakalbur. Murgjërit preken thellë: ja, këtë thesar kërkonin në fund të pusit. Gjetën mbretin Sigismund, gruan e tij dhe dy fëmijët e tyre. Sigismundi ishte mbreti i burgundëve. Mbretëria e tij përkon me trojet e sotme të Burgonjës franceze. Sundonte një pjesë të Galisë, ndërsa pjesa tjetër ishte nën sundimin e frankëve. I duhej të luftonte papushim kundër sulmeve të vizigotëve e të ostrogotëve, që donin ta shtrinin sundimin e tyre mbi trojet burgunde. Sigismundi, ashtu si i kushëriri, mbreti Klodove, ishte i krishterë. Të luftonte kundër barbarëve, për të do të thoshte edhe të luftonte kundër heretikëve arianë, që nuk donin të besonin se Jezu Krishti ishte Zot e njeri bashkë. Por në atë kohë besëlidhjet ndërmjet popujve ishin tepër të brishta. Pas vdekjes së Klodoveut, Sigismundi i humbi të gjitha aleancat. Nga njëra anë i druhej të birit të Klodoveut, që synonte të shtrihej në trojet e burgundëve, nga ana tjetër kërcënohej prej ostrogotëve arianë. I rrethuar nga të katër anët, Sigismundi vendosi të strehohej në kuvendin e Shën Mauricit, që e kishte themeluar vetë. Dëshira e tij ishte të fshihej e të kalonte një jetë sa më të përshpirtshme. Dhe nisi të jetonte siç kishte dëshiruar, duke u lutur ditë natë e duke agjëruar. Por dikush e tradhtoi. Frankët e kapën dhe e hodhën, me gjithë familjen, në fund të një pusi. Ishte vitit 524. Që nga ajo kohë, çdo natë në grykën e pusit dukej një dritë e mrekullueshme, si të donte t’u tregonte murgjërve se ku ndodheshin katër trupat. Nuk dihet në se kjo është e vërtetë historike apo gojëdhënë, por gjithsesi vendi ku ndodheshin trupat u zbulua.Pas këtij zbulimi, murgjërit e mbartën trupin e Sigismundit dhe të familjarëve të tij në kuvendin e Shën Mauricit. E pikërisht atje mbreti shenjt korri fitoren e tij përfundimtare, më të lumnueshmen: të prekur thellë nga martirizimi i tij, luftëtarët arianë u kthyen në masë në fenë e krishterë!







All the contents on this site are copyrighted ©.