365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.
(15.02.2008 RV)15 shkurt: Gjenovefa
që shpëtoi Parisin nga uria Mbi Urën e Turnelës, në zonën e pestë të Parisit,
tek këmbët e një shtylle vigane, ndodhet një grup i vogël turistësh. “Kush është
ajo?” – pyet një vogëlush, duke treguar me gisht shtatoren e vendosur në maje të
shtyllës. “Është Shën Gjenovefa, Pajtorja e Parisit” - përgjigjet aty për aty
shoqëruesi. Në të vërtetë, Gjenovefa ka lindur në Nanterrë, në vitin 422, nga një
familje galo-romake. Ishte ende vajzë e vogël, kur ndjeu thirrjen e Krishtit, e njëzet
vjeçe, kur ia kushtoi gjithë jetën Hyjit”. “E Atila? – ç’ ka të bëjë me këtë histori”
- pyet padurueshëm një djalosh. “Aty do të dal… - e ndërpret shoqëruesi - Kur
Gjenovefa ishte tridhjetë vjeçe, hunët pushtuan veriun e Galisë, duke plaçkitur të
gjitha fshatrat nëpër të cilat kalonin. Arritën shumë shpejt tek portat e Parisit,
pasi kishin mbjellur panik në të gjitha qytetet. Dukej se vetëm Gjenovefa nuk e kishte
humbur toruan: ia doli mbanesh të ruante qetësinë, edhe atëherë kur shqetësimi bridhte
rrugëve të qytetit, e t’i siguronte parizianët se hunët nuk do ta shtinin kurrë në
dorë Parisin. Ishte bijë e një ushtaraku, prandaj kishte arsye të besonte se hunët
nuk e kishin ndër mend të marshonin mbi qytet. Në se Zoti nuk dëshironte, ata nuk
do të sulmonin. Gjenovefa mblodhi disa gra, me të cilat filloi të lutet me gjithë
zemër; pak nga pak në qytet u krijua një zinxhir lutjesh e… hunët u larguan nga Parisi.
Kështu Gjenovefa u bë shumë e njohur në të gjithë qytetin. Por mrekullitë që bëri
vajza për Parisin, nuk mbarojnë me kaq. Kur frankët e rrethuan qytetin, ajo u vu në
krye të punës për furnizimin e popullsisë. Kur Parisi provonte zinë e bukës, ajo
ndihmonte më të varfërit e u siguronte të gjithëve ushqimin e nevojshëm. E po ajo
ndërtoi bazilikën e parë për të nderuar Shën Dënisin. Gjenofeva ia kushtoi gjithë
jetën Hyjit e Parisit. Kur Klodoveu, mbreti i frankëve, u pagëzua e zgjodhi Parisin
si kryeqytet të mbretërisë së tij, gëzimi i saj qe i jashtëzakonshëm…”. Shoqëruesi
hesht për disa sekonda. Ndërsa ai fliste, grupi është ngjitur mbi një kodrinë e tani
ndodhet para Panteonit.“Gjenovefa u varros pikërisht këtu, mbi këtë kodrinë” – vijon
shoqëruesi. - Në fillim këtu ishte një bazilikë kushtuar Shenjtorëve Apostuj. Pastaj
Luigji XV ndërtoi një Kishë më të madhe për nder të Shën Gjenovefës: është Panteoni,
që shikoni para jush! Por monumenti, i cili në fillim ishte Kishë, në kohën e Revolucionit
francez u shndërrua në mauzole, ku tani ruhen eshtrat e njerëzve më të shquar të historisë
franceze. Gjithsesi, Parisi nuk e harroi kurrë Pajtoren e vet: kodra mbi të cilën
ndodhemi, vijon të quhet edhe sot e kësaj dite Mali i Shën Zhënevievës.