2008-02-14 17:27:00

Në Vjenë vijon Forumi kushtuar luftës kundër trafikut të njerëzve. Fjalimi i imzot Marketos.


(14.02.2008 RV)Bota nuk mund t’i mbyllë sytë para gjakut, djersës e lotëve të viktimave të trafikut të njerëzve, fenomen i turpshëm, me fitime të paligjshme marramendëse, që arrijnë në 32 milionë dollarë. Me këto fjalë u hap dje, në Vjenë, Forumi i parë mbi luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore, organizuar nga Kombet e Bashkuara.
Është koha që bota t’i hapë sytë përballë formave të reja, moderne, të skllavërisë, ndërmjet të cilave, edhe shfrytëzimi seksual – u theksua në Forum. Por u nënvizua edhe se nuk mjafton t’i hapësh sytë, të shikosh e të revoltohesh. Tepër pak. Për t’iu kundërvënë këtij turpi, duhen fuqizuar ligjet, të cilat duhen zbatuar me rreptësinë më të madhe. Sekretari i Këshillit Papnor të Baritorisë për Emigrantët, kryeipeshkvi Agostino Marketo, pohoi se trafiku i qenieve njerëzore është problem shumplanësh. Varfëria – tha prelati – i shtyn njerëzit të kërkojnë një ardhmëri më të mirë, pa marrë parasysh rreziqet që i kërcënojnë. E ky kërkim i ethshëm, i bën jashtëzakonisht të dobët e të pambrojtur. Selia e Shenjtë - shtoi kryeipeshkvi Marketo - inkurajon çdo nismë që ka për qëllim çrrënjosjen e këtij fenomeni imoral e kriminal. Sipas sekretarit të Këshillit Papnor, përpjekjet për t’iu kundërvënë veprimtarive kriminale dhe për të mbrojtur viktimat, duhet t’i venë të drejtat e njeriut në qendër të të gjitha strategjive. Në radhë të parë, duhen marrë masa për parandalimin e këtyre veprimtarive të paligjshne e për dorëzimin e kriminelëve në duart e drejtësisë, duke përdorur për këtë edhe teknologjitë e reja. Por duhet pasur mirë parasysh se lufta kundër kësaj plage nuk është aspak e lehtë. Ndesh në pengesa të shumta e të vështira për t’u kapërcyer, sepse trafiku i njerëzve – siç pohoi edhe drejtori ekzekutiv i zyrës së OKB-së për kontrollin e drogës dhe parandalimin e krimit, Antonio Maria Kosta - është një përbindsh me përmasa të papërfytyrueshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.