(13.02.2008 RV)Prishtina është pushtuar nga ethet e përgatitjeve për ditën
e pavarësisë, megjithëse data nuk është konfirmuar zyrtarisht. Galeria e Arteve të
Kosovës ka parashikuar një program prej 72 orësh, ku do të paraqiten rreth 100 filma
dokumentarë mbi paqen, realizuar nga artistë ballkanikë dhe evropianë. Studentët e
artit figurativ do të realizojnë një pikturë me sipërfaqe 70 metra katror, në të cilën
do të pasqyrohet historia e popullit të Kosovës. Filarmonia do të mbajë një koncert
me vepra të kompozitorëve shqiptarë. Qeveria e Prishtinës ka caktuar 1 milion euro
dhe ka ngritur një komision për festën. Vëmendje e posaçme do t’u kushtohet gazetarëve.
Sot në Hotel Grand është hapur Qendra për Media dhe në dispozicion të gazetarëve është
angazhuar personel i veçantë.