2008-02-13 17:51:28

Nesër mblidhet Këshilli i jashtëzakonshëm i Sigurimit të OKB-së për Kosovën


(13.02.2008 RV)Në planin ndërkombëtar, vazhdon beteja politike për të njohur ose jo shtetin e pavarur të Kosovës. Serbia dhe Rusia kanë kërkuar dhe kanë arritur që nesër të mblidhet me urgjencë Këshilli i Sigurimit i OKB-së, për të diskutuar mbi Kosovën.
Ndërkaq, çështja e Prishtinës ka qenë kryesore edhe në diskutimet Bashkim Evropian – Rusi, që u zhvilluan në Slloveni. Bashkimi Evropian ka deklaruar se nuk pret që Rusia të zhbllokojë nesër situatën, pasi Moska është gjithnjë e mendimit të përdorë veton kundër pavarësisë së Kosovës. Nga ana e tij, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov përjashtoi sot mundësinë që Rusia të kryejë shantazh energjitik me ato shtete që do ta njohin pavarësinë, por divergjencat me Brukselin mbeten. Në këtë mënyrë, Lavrov zbuti tonet e ambasadorit rus në BE, Çizhov, i cili në një intervistë për gazetën austriake “Die Presse” deklaronte se do të ketë pasoja negative për ato shtete që njohin pavarësinë e Kosovës.
Ndërsa, kryeministri serb Vojisllav Koshtunica u bëri thirrje sot serbëve të Kosovës që të qëndrojnë në vend, duke mbetur qytetarë të Serbisë. Prej ditësh, në veri të Mitrovicës shihen ata që i quajnë “fytyrat e reja”, policë serbë të sigurimit, të cilët janë gati të reagojnë sipas urdhërave nga Beogradi.







All the contents on this site are copyrighted ©.