2008-02-13 17:42:18

Kardinali Vanhoi në ditën e katërt të Ushtrimeve Shpirtërore në Vatikan: “Besa e re e lidhur me gjakun e Krishtit na përtërin e na lidh ngushtë me Hyjin”.


(13.02.2008 RV)RealAudioMP3 Dita e katërt e Ushtrimeve Shpirtërore të Krezhmëve, që filluan të dielën e kaluar në Pallatin Apostolik të Vatikanit, në praninë e Papës e të Kuries Romake. Në dy meditimet e sotme, kardinali Albert Vanhoi shpjegoi posaçërisht mënyrën sesi e paraqet premtimin e Besëlidhjes së Re Letra drejtuar Hebrenjve dhe faqen ungjillore të Dasmës së Kanës. Ndërsa në meditimin e mbrëmshëm Hirësia e Tij foli kryesisht për temën e “Solidaritetit meshtarak” të Krishtit.
Kujtojmë se sot, pikërisht për arsye të Ushtrimeve Shpirtërore, nuk u mbajt audienca e përgjithshme.
Letra drejtuar Hebrenjve - nënvizoi kardinali Vanhoi - na zbulon lidhjen e ngushtë të meshtarisë së Krishtit me Besëlidhjen e Re, ndërmjetësues i së cilës është ai vetë. Në Letër – vijoi predikatari – gjejmë një citim të gjatë të orakullit të Jeremisë, që kumton Besëlidhjen e Re. Populli i Izraelit – vijoi meditimin kardinali – u tregua vazhdimisht i pabesë ndaj Hyjit. Prandaj Hyji dërgoi Jereminë të kumtonte një besëlidhje vërtetë të re, të ndryshme nga besa që Hyji kishte lidhur me etërit. Hyji dëshiron të bëjë një ndryshim rrënjësor. Një Besëlidhje, që bazohet mbi katër elemente:
“Aspekti i parë, besëlidhja e re do të jetë e brendshme e jo e jashtme. Aspekti i dytë, do të jetë një lidhje e përkryer përkatësie reciproke ndërmjet Hyjit e popullit. Aspekti i tretë, nuk do të jetë institucion kolektiv, por lidhje personale e secilit me Hyjin. Aspekti i katërt, kjo lidhje do të bazohet mbi faljen e plotë të mëkateve”.
Prej këndej, mund të themi se Besëlidhja e Re sjell shndërrimin e plotë të zemrës. Mbi Sinai – pohoi kardinali Vanhoi – Hyji i pati shkruar ligjet e tij mbi rrasa guri, ligje të jashtme që duheshin zbatuar, por që nuk e ndryshonin zemrën e njerëzve. Ishte i domosdoshëm një ndryshim shpirtëror e Hyji e premton, sepse – theksoi predikatari – po të ndryshojë zemra, vendoset vetvetiu lidhja e përkryer ndërmjet Hyjit e popullit. E jo vetëm kaq; Besëlidhja e Re, paraflet Jeremia, nuk do të jetë kolektive, por lidhje personale, e ngushtë, që do t’i bëjë fare të panevojshme paralajmërimet. Në Besëlidhjen e Vjetër – nënvizoi kardinali Vanhoi – ishte gjithnjë i nevojshëm qortimi, kërcënimi i profetëve. E megjithatë, këto kërcënime nuk mjaftojnë për ta kthyer popullin e Izraelit në rrugë të drejtë. Besëlidhja e Re paraqitet si një situatë e ndryshme, në të cilën nuk ka më nevojë për paralajmërime. Orakulli hap perspektiva të mrekullueshme, por nuk na shpjegon si mund të realizohet ky premtim i Hyjit:
Këtë na e zbulon Jezusi në Darkën e Mbrame, kur themelon Eukaristinë. Jezusi merr kelkun e thotë: “Ky është gjaku im i besëlidhjes”. Besëlidhja e Re do të themelohej me gjak, gjak i derdhur për shumkënd në shpërblim të mëkateve, sipas premtimit të Besëlidhjes së Re”.
Kështu Besëlidhja e Re themelohet mbi gjakun e Krishtit. Prandaj – kujtoi kardinali Vanhoi – duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë besëlidhje që na përtrin plotësisht e na vë në lidhje të thellë me Hyjin, përmes Krishtit.
Meditimin e dytë predikatari ia kushtoi Dasmës së Kanës e cila – pohoi - kremtohet pikërisht për të lidhur besën e re. Hirësia e Tij kujtoi se Besëlidhja e Re ndërmjet Hyjit e popullit të vet, në Besëlidhjen e Vjetër paraqitet pikërisht si dasëm. Ndërsa idhujtaria paraqitet si pabesi, si shkelje kurore e popullit të Izraelit, ashtu si paraqitet në episodin e viçit të artë. Gjithsesi, edhe në çastet më tragjike, Hyji nuk heq dorë nga plani i tij i bashkimit në dashuri, prandaj premton një besëlidhje të re. Në Kanë kryhet mrekullia e shndërrimit të ujit në verë. Jezusi nis kështu shenjat e mrekullueshme dhe tregon lavdinë e vet. Po cila është lavdia e Jezusit? – pyeti predikatari. - Është pikërisht lavdia e dhëndrrit. Është lavdia e dashurisë bujare, që dhuron verën e mirë në fund të dasmës. Në faqen ungjillore – vijoi Hirësia e Tij – prekemi thellë nga figura e Marisë. Nëna i kishte folur birit për shqetësimin e dhëndrrit, të cilit i mungonte vera. Jezusi i përgjigjet në një mënyrë, që shpreh evolucionin e marrëdhënieve të Tij me Nënën:
“Një koment patristik shpjegon se tani nuk është më ora e Marisë, dmth koha në të cilën Nëna duhet t’i prijë birit në rrugën e jetës; është ora e Jezusit, ora në të cilën Krishti duhet të marrë nismën e të realizojë planin e Hyjit. Jezusi nuk duhet t’i bindet më Marisë, duhet të marrë në dorë misionin e vet të Mesisë”.
Kështu – vijoi predikatari – Maria bëhet dyfish nënë e Jezusit e na mëson bindjen e vërtetë përpara Zotit. Kjo faqe e Ungjillit na vë përballë dy qëndrimeve shpirtërore të kundërta, bindjes së plotë të Marisë dhe mosbindjes së njeriut që nuk dëshiron kurrfarë ndryshimi të propozuar nga Jezusi. Kardinali Vanhoi e përfundoi meditimin me ftesën e Shën Palit, në Letrën drejtuar Romakëve, për ta shndërruar vetveten, duke e përtërirë në radhë të parë mendjen tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.