2008-02-13 17:56:10

Australia u kërkon falje aborigjenëve


(13.02.2008 RV)Kryeministri i ri laburist australian, Kevin Rud u kërkoi sot falje zyrtarisht popullsive indigjene të Australisë, për “vuajtjet dhe poshtërimet” e shkaktuara nga poltikat e asimilimit të zbatuara në periudhën 1910-1970. Mocioni i qeverisë u miratua njëzëri në hapjen e punimeve të parlamentit. Nisma u përshendet edhe nga Konferenca Ipeshkvnore e vendit, e cila që në vitin 1998 pati publikuar një dokument ku u kërkohej falje aborigjenëve për vuajtjet e pësuara.


Në SHBA-të, Barak Obama fiton edhe tri herë të tjera në primaret e Potomakut, tri shtetet që rrethojnë kryeqytetin e Uashingtonit. Ndërkaq, për Hilari Klintonin vazhdon momenti i krizës, filluar të martën e javës së kaluar. Përsa i përket republikanëve, Xhon MekKein rrezikoi që të humbasë papritur në Virxhinia kundër pastorit baptist Majk Hakëbi.

Tension i ri në Lindjen e Mesme. Një eksponent i lartë i lëvizjes shiite libaneze Hezbollah u vra gjatë natës së kaluar në Damask të Sirisë. Vetë organizata ka akuzuar Izraelin për atentatin. Tel Avivi, natyrisht, ka mohuar çdo përgjegjësi.

Një komision i pavarur do të kryejë hetime për zgjedhjet e 27 dhjetorit në Kenia, të cilat konfirmuan në detyrë presidentin Kibaki, duke shkaktuar protestat e opozitës së kryesuar nga Odinga. Kjo është marrëveshja e arritur me ndërmjetësimin e ish-Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan për t’i dhënë fund krizës. Nga ndeshjet e ashpra që pasuan, deri tani kanë vdekur së paku njëmijë vetë dhe janë detyruar të braktisin shtëpitë rreth 600 mijë të tjerë.







All the contents on this site are copyrighted ©.