2008-02-13 17:54:03

2008-a është viti evropian ndërkulturor


(13.02.2008 RV)Përvoja ndërkulturore do të jetë në qendër të vitit 2008 në të gjithë Evropën. U paraqit dje në Romë, Viti evropian ndërkulturor, në praninë e personaliteteve evropiane dhe italiane, si edhe të artistëve nga vende të ndryshme. Debate dhe ekspozita në të gjithë Bashkimin Evropian do të jenë rast për të reflektuar mbi rëndësinë e dialogut. Ideja është të kapërcehet koncepti i multikulturalizmit, që shoqëroi emigracionin drejt vendeve evropiane. Bashkimi i thjeshtë i shumë kulturave nuk mjafton. Duhet një takim ndërmjet kulturave, ku njëra të mësojë nga tjetra, duke ruajtur atë pjesë të identitetit që dëshiron, në dialogun me tjetrën. Të ftuar në Auditoriumin Parku i Muzikës në Romë ishin Ornela Vorpsi, shkrimtare shqiptare me banim në Paris, intelektuali boshnjak Predrag Matvejeviç, shkrimtari irakian Junis Toufik, drejtori i Festivalit Dimëror të Sarajevës, Ibrahim Spahiç e shumë të tjerë, që vijnë nga kultura të ndryshme e flasin gjuhë të ndryshme, por që i bashkon gjuha e artit, një lloj esperantoje e të gjitha kohërave.







All the contents on this site are copyrighted ©.