2008-02-12 18:11:27

Brenda javës, gati Eulex për Kosovën


(12.02.2008 RV)Para se Kosova të deklarojë pavarësinë, kancelaritë botërore, sidomos ato evropiane, duan të jenë gati dhe të kenë bërë hapat e nevojshme për të përballuar çdo lloj reagimi.
Bashkimi Evropian do të miratojë kësaj jave, pra para shpalljes së pavarësisë dhe para mbledhjes së ministrave të jashtëm në Bruksel më 18 shkurt, dokumentin e fundit, ku përcaktohen rregullat e normat e misionit Eulex në Kosovë, si edhe zinxhiri i komandës. Miratimi do të bëhet me shkrim dhe adoptimi në këshillin rinor e arësimor të së enjtes, një procedurë pa bujë, që merr parasysh ndjeshmërinë e palëve ndaj argumentit. Nga ky moment do të fillojnë 120 ditët e nevojshme për disllokimin e misionit evropian në vend. Në ditën e 121-të misioni do të jetë operativ. Në krye të 2000 policëve, magjistratëve e nëpunësve të tjerë të Eulexit është emëruar hollandezi Peter Feith, i cili do të udhëheqë edhe Zyrën ndërkombëtare civile. Komandant i forcave të sigurisë do të jetë gjenerali francez Iv dë Kermabon, i cili ka përvojë në Kosovë në krye të KFOR-it. Data e skadimit të misionit është 28 shkurti i vitit 2009.
Italia do të jetë kontribuesi më i madh, me rreth 200 njerëz, siç deklaroi ministri i jashtëm Masimo D’Alema. Mbrëmë, nga Malta ku ndodhej për mbledhjen ndërmjet ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian dhe të Lidhjes Arabe, D’Alema sqaroi edhe se vështirë që Kosova të konsiderohet krejtësisht e pavarur. Fillimisht, ajo do të jetë nën mbikqyrjen ndërkombëtare, por “tranzicioni drejt pavarësisë do të jetë e vetmja rrugëdalje e mundshme”.
Ndërkaq Rusia, nëpërmjet ministrit të jashtëm Sergei Lavrov nga Gjeneva, përsërit se shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj nga shtetet perëndimore do të jetë një dhunim i hapur i të gjitha parimeve të ligjit ndërkombëtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.