2008-02-12 16:56:28

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(12.02.2008 RV)RealAudioMP3 12 shkurt:Leoni i Madh, papa që ndaloi Atilën para portave të Romës.
E këndshme kjo drekë. Me gjellë vërtetë të zgjedhura e me biseda edhe më të zgjedhura. Dy burrat, ulur në dy anët e sofrës, flasin si të ishin miq të vjetër. E pra deri dje të gjithë besonin se ishin armiq për vdekje…
Në njërën anë është ulur Atila, veshur me togë romake, për të respektuar mikun. Në se nuk do t’i binin në sy mustaqet e tij të frikshme, askujt nuk do t’i shkonte mendja se ka përpara mbretin e hunëve, për të cilin thuhet: “Ku i shkel këmba, nuk mbin më bar”. Ashtu i veshur, të krijon përshtypjen e një burri të madh, që mbretëron kush e di se ku. Nuk duket aspak i keq, e aq më pak barbar.
Në anën tjetër është ulur Papa Leoni I, një nga ata burra të rrallë, pamja e të cilëve të ngjall respekt, nderim e njëkohësisht, edhe druajtje.
Jemi në vitin 452 e në këtë gosti hidhet shorti i Romës. Leoni I shkoi ta takojë Atilën për t’i kërkuar ta kursejë qytetin. Për romakët ky takim është shpresa e fundit. Në se Papa nuk do t’ia dalë mbanesh ta bindë kryebarbarin, qyteti është i humbur përgjithmonë.
Hunët e Atilës kanë ngritur fushimin vetëm pak kilometra larg Romës. Mijëra çadra. Prania e tyre është kërcënuese e romakët s’mbyllin sy nga frika e një sulmi të papritur. Tashmë të gjithë e dinë ç’është në gjendje të bëjë ushtria e Atilës: hunët lënë pas vetëm vdekje; plaçkisin, vjedhin, djegin, dhunojnë… Banorët e qyteteve romake presin me tmerr fundin. Ushtria e tyre tashmë është tepër e dobët për t’i mbrojtur. Vetëm Papa Leoni I mund të gjejë një rrugë diplomatike, për t’i dhënë fund këtij tmerri pa fund.
Dreka kalon gëzueshëm, por romakët që e shoqërojnë Papën, alarmohen në kulm. Asnjë fjalë për Romën. Vallë Leoni ka harruar fare pse ndodhet aty? I ka dalë nga mendja ç’ zare hidhen në atë tryezë?
Dy ditë më vonë Atila e Leoni takohen përsëri. Vetëm për vetëm këtë radhë. Askush nuk e di ç’u fol atë ditë… fjalët u mbyllën në heshtjen e madhe të historisë, ku ndryhen aq shumë të fshehta të pathëna. Askush nuk pa, as nuk dëgjoi gjë, por ama të gjithë i panë e i dëgjuan pasojat: Atila e ushtria e tij u larguan nga Italia, duke hequr dorë nga ideja për ta pushtuar, së bashku me Galinë. Atila u kthye dalë në trojet e veta e nisi të merret me punët e mbretërisë së tij. Ndërsa Papa Leoni i Madh hyri në legjendë. Të gjithë e quajtën hero, shpëtimtar i Romës. Po ky njeri i shenjtë, të cilit nuk i pëlqenin nderimet e atyre që e lavdëronin për fitoren, mjaftohej me përgjigjen: “Të falënderojmë Zotin, që na shpëtoi nga një kob kaq i madh”, duke i shoqëruar fjalët me një një buzëqeshje të lehtë, që i kishte hije.







All the contents on this site are copyrighted ©.