2008-02-11 17:31:08

Kremtime solemne në Lurdë e në Romë për Ditën botërore të të sëmurit, në 150-vjetorin e dukjeve mariane Shën Bernardetës.


(11.02.2008 RV)Një përqafim i madh shpirtëror ndërmjet Lurdës e Romës, ndërmjet shtegtarëve të Shenjtërores mariane franceze e shtegtarëve të drejtuar në Bazilikën romake të Shën Pjetrit, të prirë nga reliket e Shën Bernardetës.
Ndërsa sot paradite në Lurdë dhjetra-mijëra shtegtarë merrnin pjesë në Meshën e kremuar për 150-vjetorin e dukjes së parë mariane, një karvan i gjatë i UNITALSI-it (Bashkimi Kombëtar Italian i Transportit të të Sëmurëve në Lurdë e Shenjtërore Ndërkombëtare) përshkonte me devocion të madh Rrugën e Pajtimit për të marrë pjesë në lutjen drejtuar Engjëllit të Tënzot në Bazilikën e Shën Pjetrit, kryesuar nga kardinali Angjelo Komastri, vikar i Papës për Qytetin e Vatikanit.
“Lurda është prani që jep paqe e dhuron besim” – pohoi ipeshkvi i qytezës franceze, imzot Perrier gjatë meshës që kryesoi sot paradite në Shenjtërore. Me të bashkëkremtuan 30 ipeshkvij e 800 meshtarë, në praninë e besimtarëve nga mbarë bota, që luteshin në gjuhë të ndryshme, në ato gjuhë me të cilat prej një shekulli e gjysëm tregojnë mrekulli, në sa qajnë nga gëzimi e ia besojnë të gjitha ëndrrat më të fshehta të shpirtit, buzëqeshjes së Zojës Lurdë.
E ndërsa vijonte lutja korale atje ku Zoja e Bardhë iu duk Bernardetës Subiru, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, sot pasdite kardinali Havier Lozano Barragan, kryetar i Këshillit Papnor për baritorinë e shëndetit, kryesoi Meshën shenjte për Ditën Botërore të të Sëmurit.Kujtojmë se në Mesazhin për këtë Ditë botërore, ditë e dukjes së Virgjërës Mari në Shpellën e Masabielës, Benedikti XVI thekson pikërisht lidhjen shpirtërore ndërmjet flijimit të Krishtit dhe Nënës së tij, sepse Misteri eukaristik dhe roli i Marisë në planin shëlbues kanë lidhje të ngushtë me realitetin e dhimbjes e të vuajtjes së njeriut. E kjo, pa harruar se Maria nuk mund të kundrohet, në se nuk na tërheq fort Krishti.







All the contents on this site are copyrighted ©.