2008-02-11 17:54:57

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(11.02.2008 RV)11 shkurt: Në Konçilin e Kalçedonisë i jepet përgjigje pyetjes: “Jezusi është njeri apo Zot?”.
Debati ndizet keqas ndërmjet Markut e mikut të tij, Gracios. Prej një ore dy të rinjtë e krishterë s’ pushojnë së diskutuari rreth një çështjeje misterioze: ‘Po kush ishte Jezusi? Ishte Hyj, apo thjeshtë njeri?’.
“Mark, unë të dua shumë, por s’mund të ta fsheh se ti nganjëherë flet fare pa menduar. Jezusi nuk ishte njeri, ishte Zot e hiç tjetër. Hyji zgjodhi një korp, që njerëzit ta shohin, por Krishtit korpi i duhej vetëm si formë e jashtme. Unë e ti, po, jemi njerëz të vërtetë, kemi trup e shpirt. Jezusi nuk kishte shpirt njerëzor: brenda korpit të tij kishte mendimet e Hyjit, pafundësinë dhe përsosurinë e Hyjit”.
“Thua t’u besoj veshëve? Si mund të flasësh absurditete të tilla. Si guxon të thuash se Jezusi ishte Zot? Përfytyro kryevjetorin e lindjes së tij. Sipas teje, Maria e Jozefi do të kenë thënë atë ditë: “Sot Hyji mbush një vit!” Ose ditën kur Jezusit i dolën dhëmbët e parë. Ti beson se Maria do të ketë thënë me vete: “Ooo, pa shiko, shiko, Zotit i paskan dalë dhëmbët e parë!” S’do shumë mend, për ta kuptuar këtë, i dashur Gracio! Hyji është i përkryer e i amshuar. Nuk mund të ketë lindur e të ketë vdekur si Jezusi”.
“Mark, tepër të rënda fjalët që po nxjerr nga goja! Sipas teje, po na del se Jezusi nuk kishte kurrfarë lidhjeje me Hyjin!”.
“Kush të tha se nuk kishte. Kishte, e fort madje. Jezusi ishte njeri, po jo njeri i zakonshëm. Ishte njeriu të cilin Hyji e zgjodhi për të banuar në të. Zoti e përdori si mjet. Për shembull, i tha: ‘Shndërroje ujin në verë!’ E uji sakaq u bë verë. U bë, sepse Jezusi kishte forcë ta bënte. Ose i tha: ‘Shëroje këtë të verbër!’. E i verbëri aty për aty u shëndosh. Jezusi ishte njeri, si unë e si ti. Ndryshonte vetëm sepse kishte brenda vetes Hyjin, që i jepte urdhëra. Në disa çaste Jezusi kishte gjithë pushtetin e Hyjit”.Në këtë periudhë, aty nga fillimi i Shekullit V, njerëzit nuk ishin në gjendje të tregonin kush ishte Jezusi. Përgjigja mbetej mister. Deri ipeshkvijtë kishin mendime të ndryshme për këtë çështje. Vetëm në vitin 451 Kisha do t’i japë një përgjigje të qartë e të plotë kësaj pyetjeje. Këtë vit mbarë ipeshkvijtë mblidhen në koncil, në Kalçedoni të Azisë së Vogël. Pas diskutimeve të zjarrta, më në fund, arrihet në vendimin përfundimtar: “Jezusi është njëkohësisht Hyj i vërtetë e njeri i vërtetë në çdo çast të jetës së tij”. Si Marku, ashtu edhe Gracio ishin gabim!
Falë Koncilit të Kalçedonisë, të krishterët mund ta kuptojnë më mirë madhështinë e dashurisë së Hyjit. Në Jezusin, Hyji e njeriu janë një gjë e vetme. Jeta e Jezusit është faqja më e bukur e historisë së dashurisë së Hyjit për njerëzit!







All the contents on this site are copyrighted ©.