Me të Mërkurën e Përhime filloi Koha e Krezhmëve(meditim).
(10.02.2008 RV)Në qëndër të vëmendjes së kësaj dite, me të cilën fillon Koha
e Krezhmëve, është riti simbolik i përhimjes, me fjalët që e shoqërojnë. Një rit i
tillë na kujton qortimin e Joelit Profet, sipas të cilit gjesteve të jashtme, karakteristike
për periudhën e Kreshmëve, duket t’i përgjigjet çiltërsia e shpirtit dhe koherenca
e veprave, sepse ç’vlerë ka të coptosh rrobat, kur zemra mbetet larg nga Zoti, dmth
nga e mira e drejtësia? Ajo që ka vlerë të vërtetë, është të kthehesh tek Zoti me
shpirt të penduar, për të fituar kështu mëshirën e tij. Një shpirt të ri e një
zemër të re – këtë kërkojnë besimtarët sot me fjalët e Psalmit pendestar ‘Miserere’
– duke u lutur: “Na fal, o Zot, kemi mëkatuar!”. Besimtari i vërtetë, i vetëdijshëm
se është mëkatar, dëshiron me gjithë vetveten – shpirt, zemër e korp – të meritojë
mëshirën hyjnore që e bën krijesë të re e i kthen gëzimin dhe shpresën. Një aspekt
tjetër i përshpirtërisë krezhmore, është ai që na kujton armët e pendesës e të betejës
kundër shpirtit të së keqes. Çdo ditë, e posaçërisht në Kohën e Krezhmëve, i krishteri
duhet të përballojë një luftë, si ajo që përballoi Krishtit në shkretëtirën e Judesë,
ku për 40 ditë u tundua nga djalli; e pastaj në Gjetsemani, kur mundi tundimin e mbram,
duke bërë deri në fund të fundit vullnetin e Atit. Është një betejë shpirtërore, betejë
kundër mëkatit e kundër shejtanit, zanafillë e shkak i çdo lloj mëkati. Prej këndej
besimtarët duhet të jenë vigjilentë e t’u kushtojnë vëmendje jo vetëm mëkateve të
rënda e mortare, por edhe mëkateve më pak të rënda të cilat, në se nuk përfillen,
sjellin vdekjen. Krezhmët na kujtojnë se jeta e krishterë është betejë pafund.
Për ta përballuar, duhet të ngjeshim armët lutjes, të agjërimit e të pendesës. Ndjekja
e Krishtit i bën të krishterët dëshmitarë e apostuj të paqes, i ndihmon të kuptojnë
më mirë se cila duhet të jetë përgjigja e krishterë ndaj dhunës që kërcënon paqen
në botë. Sigurisht nuk është hakmarrja, nuk është urrejtja as ikja drejt një përshpirtërie
të rreme. Përgjigja e atij që ndjek Krishtin është të ecë në rrugën e zgjedhur nga
Ai që, përballë të këqijave të kohës së vet e të të gjitha kohërave, zgjodhi vendosmërisht
Udhën e Kryqit, duke ndjekur shtegun më të gjatë, por më të frytshëm të dashurisë.
Në gjurmët e Tij e të bashkuar me Të, të gjithë duhet të impenjohemi t’i kundërvihemi
së keqes me të mirën, gënjeshtrës – me të vërtetën; urrejtjes, me dashurinë”.
“Dashuria e Krishtit na nxit” (2 Kor 5, 14) - thotë Shën Palit, duke na kujtuar
se në Jezusin vetë Zoti na dhuroi vetveten deri në vdekje, gjë që duhet të na shtyjë
të mos jetojmë më për vetveten, por për Krishtin e me Të, për të tjerët”. E dashuria
duhet të shprehet pastaj në gjeste konkrete në ndihmë të të afërmit, e sidomos të
më të varfërve e më nevojtarëve, duke pasur gjithnjë parasysh se Ati, që është në
qiell, shikon edhe në fshehtësi e i shpërblen të gjithë ata që bëjnë mirë në heshtje,
përvujtërisht e pa kurrfarë interesi. Konkretizimi i dashurisë është një nga elementet
themelore të jetës të të krishterëve, të cilët inkurajohen nga Jezusi të jenë dritë
e botës, që njerëzit, duke parë veprat e mira, ta lëvdojnë Atin që është në qiell.
Në kohën e Krezhmëve dëgjojmë si rijehon ftesa për t’u kthyer në rrugën e Zotit e
për t’i besuar Ungjillit – gjë që na nxit t’ia hapim gjithnjë shpirtin fuqisë së
hirit hyjnor. Kështu, të gjallëruar nga impenjimi i fortë i lutjes, të vendosur për
t’iu kushtuar më shumë pendesës, agjërimit e vemendjes ndaj vëllezërve, të ecim drejt
Pashkëve, në shoqërinë e Virgjërës Mari, Nënës së Kishës e modelit të çdo nxënësi
të vërtetë të Krishtit. Kështu pra, në Romë e në të gjitha kishat katolike të botës,
të mëkurën e kaluar nisi koha e përgatitjes për Pashkë. Kisha na fton kryesisht të
rikthejmë tek Zoti. E kthimi ka shkallë të ndryshme, që fillojnë me përpjekjen për
ta dashur më shumë Zotin e vijonë me pendesën për mëkatet tona, me dashurinë për të
afërmin në botën e sotme, në të cilën flitet kaq shumë për tensione, gjakmarrje, urrejtje,
dhunë. Krezhmët na bëjnë thirrje për pajtim, për pendesë, për falje. Kjo është rruga
e Jezusit, që na çon drejt dashurisë, drejt drejtësisë, drejt Pashkëve të ngjalljes!