150-vjetori i dukjeve të Zojës së Bekuar në Lurdë.
(10.02.2008 RV)Nesër Kisha katolike përkujton 150- vjetorin e dukjeve të Zojës
së Bekuar Shën Bernardetës Subirù, bijë e një mullisi të varfër, lindur në Lurdë,
ndërmjet Pirenejve. Më 11 shkurt 1858 në shtëpinë e saj ishin djegur të gjitha drutë.
Duhej të shkonte në mal për të bërë të tjera. Por përjashta binte shi i rrëmbyer.
Ishte gati e pamundur të bridhje nëpër pyll. Atëherë vajza shkoi në Shpellën e Masabielës,
ku barinjë e vegjël mblidhnin shpesh degë të thata. Papritmas ndjeu një fëshfërimë
të lehtë gjethesh, që e bëri të ngrinte kokën në drejtim të Shpellës. Pa një Zonjë
me fytyrë të ndritshme e me buzë në gaz. Ishte e veshur krejt me të bardha e një brez
i kaltër ia shtrëngonte lehtë përmjetin. Këmbët i kishte të zbathura, në sa në krahun
e djathtë mbante një rruzare me kokrra të bardha, përshkuar në një fill ngjyrë ari.
- Kush je ti? - e pyeti. Po ajo nuk u përgjigj. E vajza u kthye disa herë, e disa
herë ia përsëriti pyetjen, derisa mori përgjigjen: "Unë jam Zoja e Papërlyer, e zëna
pa mëkat’. Mrekullia e dukjes së parë, 150 vjetori i së cilës do të përkujtohet
nesër, të cilën Bernardeta e përjetoi në një gjendje të plotë ekstaze, u pasua nga
17 dukje të tjera, deri më 17 korrik 1858. Pas këtyre dukjeve, Bernardeta kaloi gjashtë
vjet në Institutin e Motrave të Mëshirës të Neversit, ku kreu edhe periudhën e rishtarisë
(noviciatit). Kjo periudhë zgjati më shumë se duhej, për shkak të shëndetit të saj
të ligësht. Bëri, më pas, kushtet e përjetshme duke ndërruar edhe emrin: u quajt
Motër Maria Bernarda. Vdiq në moshën 35 vjeçe, më 16 prill 1879. Më 8 dhjetor 1933
Papa Piu XI e lartoi në nderimet e elterit. Prandaj sot Ati i Shenjtë në lutjen
e Engjëllit të Tënzot, i kushtoi vëmendje të veçantë pikërisht kësaj ngjarjeje, e
cila na kujton dy koncepte: shëndetin e harmoninë, më shumë se mungesën e sëmundjes.
Zoja e Papërlyer është harmoni. Eshtë shëndet. Kemi një përkim, pra. Mesazhi i së
Papërlyerës është mesazh harmonie, e prej këndej, edhe shëndeti. E ky është edhe thelbi
i mesazhit të Atit të Shenjtë dhe thelbi i qëllimit të kremtimit të 150- vjetorit
të dukjeve të Zojës së Papërlyer. Kjo është edhe arsyeja për të cilën, posaçërisht
në Lurdë, Zoja jep shëndet: si mungesë sëmundjeje nganjëherë, e gjithnjë si paqe,
ekuilibër, harmoni, domethënë, shëndet i vërtetë. Atyre që janë të sëmurë, që vuajnë
pa e ditur përsenë, Zoja Lurdë u kujton se duhet të kërkojnë dritën, për ta ditur
përse. Drita është Shpirti Shenjt e pa Shpirtin Shenjt nuk mund të kuptohet asgjë.
E Ai do t'i udhëheqë drejt fytyrës së vuajtur e njëkohësisht të gëzuar, të Krishtit
në kryq. Do të zbulojnë kështu domethënien e dhimbjes, të sëmundjes, të vdekjes. Natyrisht
fjala e fundit nuk është kryqi, nuk është e keqja; është ringjallja. Por pa Kryqin
nuk mund të arrihet tek Ringjallja.