Papa: "Të thellohet e vërteta antropologjike mbi burrin e gruan; jo rrymave kulturore
që kërkojnë t’i sheshojnë ndryshimet seksuale".
(09.02.2008 RV) Përballë rrymave kulturore, që duan t’i sheshojnë ndryshimet
seksuale të shkruara nga vetë natyra njerëzore, duhet rikujtuar plani i Hyjit mbi
burrin e mbi gruan: këtë vërejti sot Papa në audiencën me pjesëmarrësit në takimin,
organizuar me rastin e 20-vjetorit të Letrës Apostolike Mulieris Dignitatem
të Gjon Palit II. Hyji i beson gruas e burrit, sipas veçorive të tyre, një detyrë
e një mision të veçantë në Kishë e në botë - reflektoi Benedikti XVI, duke ripohuar
me forcë se marrëdhëniet burrë-grua janë një pikë kryesore e çështjes antropologjike,
prej këndej, me rëndësi vendimtare për kulturën bashkëkohore. Prandaj – shpjegoi Papa
Racinger - me Enciklikën e tij kushtuar gruas, Gjon Pali II deshi të thellonte njohuritë
mbi të vërtetat antropologjike themelore mbi burrin e mbi gruan, mbi barazinë në dinjitetin
e në unitein e të dyve, mbi ndryshimin e thellë ndërmjet natyrës mashkullore e asaj
femërore dhe misionin e tyre për të bashkëpunuar reciprokisht e për të plotësuar njëri-tjetrin. “Por,
kur burri e gruaja pretendojnë të jenë të pavarur e plotësisht vetveprues, rrezikojnë
të mbyllen në vetrealizimin e tyre, që e konsideron si fitore të lirisë kapërcimin
e çdo pengese natyrore, shoqërore e fetare, por që në të vërtetë i mbyll të dy në
një vetmi mbytëse”. Uniteti dypalësh i burrit dhe i gruas – vijoi Papa – bazohet
mbi dinjetetin e çdo njeriu të krijuar sipas shembëlltyrës e ngjashmërisë me Hyjin,
duke shmangur si uniformitetin, që s’bën kurrfarë dallimi, e ngjashmërinë e plotë
dhe varfëruese, ashtu edhe ndryshimet e papërkueshme e konfliktuale. Prej këndej
Benedikti XVI pohoi nevojën e një kërkim i ri antropologjik i cili, mbi bazën e traditës
së madhe të krishterë, të mishërojë progreset e reja të shkencës dhe të dhënat e qëndrimeve
të sotme kulturore. Kështu mund të thellohen njohuritë jo vetëm mbi identitetin femëror,
por edhe mbi atë mashkullor, i cili jo rrallë bëhet objekt reflektimesh të pjesëshme
e ideologjike.