2008-02-08 18:46:31

Benedikti XVI ipeshkvijve të Kosta Rikës: “Duhet mbrojtur pasuria e familjes në të gjitha instancat kompetente"


(08.02.2008 RVRealAudioMP3 )Sot paradite, duke pritur në audiencë ipeshkvijtë e Kosta Rikës me rastin e vizitës së tyre ‘Ad Limina’, Papa i porositi ta mbrojnë familjen, të tregohen tepër të kujdesshëm në formimin e seminaristëve dhe të shmangin rrezikun e një feje të ligësht e sipërfaqësore. Shpresa e vërtetë e njeriut – tha Papa - është ajo që u bën ballë të gjitha zhgënjimeve. E kjo shpresë mund të jetë vetëm Hyji.
“Është e nevojshme prandaj, të punohet për të mirën e familjes dhe të mbrohen të drejtat e saj përballë të gjitha instancave kompetente, ashtu si është e nevojshme edhe t’i kushtohet vëmendje e veçantë baritore, për ta ndihmuar e për ta përkujdesur në ditë të vështira. Këto janë detyrat kryesore, për të cilat u foli Papa ipeshkvijve të Kosta Rikës, duke u shprehur edhe shqetësimin e tij për dëmtimin e vazhdueshëm të institucionit familjar, me pasoja të rënda mbi jetën shoqërore e kishtare:

“Tampoco se han de olvidar los grupos de matrimonios y familias…

“E nuk duhet harruar edhe që të ndihmohen bashkëshortët e rinj e familjet në kryerjen e detyrës së tyre të lartë e të pazëvendësueshme, e aq më pak, shërbimet e posaçme që lehtësojnë situatat e rënda, të krijuara nga ndarja, vështirësitë ekonomike ose nga dhuna brënda mureve shtëpijake, viktima të së cilës janë posaçërisht gratë”.
Papa i porositi ipeshkvijtë të gjejnë rrugë të reja për ta kumtuar Krishtin, në një situatë që pëson shndërrime të shpejta e të thella, duke vënë theksin mbi karakterin misionar të të gjitha veprimtarive baritore. Këtë pati parasysh edhe Konferenca e përgjithshme e episkopatit latino-amerikan dhe e Kariabeve, mbajtur në Aparecida - vijoi të kujtonte Benedikti XVI – kur vuri theksin mbi rrugët në të cilat duhet ecur për ta kumtuar mesazhin e Ungjillit.
Populli i Kosta Rikës – nënvizoi më tej Ati i Shenjtë – ka nevojë t’i gjallërojë vazhdimisht rrënjët e veta të lashta e të thella kristiane, përshpirtërinë popullore dhe devocionin marian.

“Queridos Obispos, conoscéis bien los riesgos…

 
“Të dashur ipeshkvij, i njihni mirë rreziqet që burojnë nga jeta e ligësht dhe e cektë fetare, e cila thyhet përballë joshjeve të rreme, si prozelitizmi i sekteve e i grupeve pseudo-fetare, përballë premtimeve të panumërta për arritjen e mirëqenies së lehtë e të menjëhershme, që përfundojnë pastaj me zhgënjme të rënda; e jo më pak, përballë përhapjes së ideologjive të cilat, duke shpallur se e vlerësojnë njeriun mbi gjithçka, në të vërtetë e banalizojnë”.
Është me vlerë të paçmuar kumtimi i shpresës së madhe të njeriut, asaj që nuk thyhet, pavarësisht nga të gjitha zhgënjimet e që mund të jetë vetëm Hyji:

Un testimonio vivo de esta esperanza…

 
“Një dëshmi të gjallë të kësaj shprese të madhe e shikojmë tek rregulltarët e tek të gjithë njerëzit që ia kushtojnë jetën Zotit të cilët, për vetë natyrën e tyre, janë të thirrur të jenë shenjë e Mbretërisë së Hyjit”.
Pasi foli edhe për misionin e besimtarëve laikë, Papa nënvizoi se trashëgimia e mbarë Kishës ruhet e pasurohet duke treguar vëmendje të jashtëzakonshme për seminaristët. Benedikti XVI foli për orientime e kritere të qarta dhe formim të përhershëm. Përgatitja e seminaristëve – shtoi Papa - duhet të jetë rigoroze, e jo thjeshtë formin abstrakt e formal, sepse do t’u duhet t’i jetojnë fjalët e vetë Shën Gjonit Apostull: “Ju kumtojmë atë që pamë e dëgjuam, që edhe ju të bashkoheni me ne”.







All the contents on this site are copyrighted ©.