2008-02-08 18:44:42

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(08.02.2008 RV)8 shkurt: Pal Orozio që ua predikoi Ungjillin e Krishtit barbarëve.
Tashmë gjithçka ka marrë fund. Perandoria romake është katandisur në hije të vetvetes. Në shekullin V pas Krishtit shkëlqimi i Romës i ka ditët të numëruara. E pas shkëlqimit, vjen rënia. Barbarët, të ardhur nga veri-perëndimi, i shkallmojnë kufijtë e perandorisë. Hunët, gotët, vandalët…. Dynden nga të katër anët si rrebesh dhe e nënshtrojnë Romën krenare.
Morali i qytetarëve romakë është për tokë. Paganët akuzojnë të krishterët si shkaktarë të këtij rrënimi të madh, të pandreqshëm. Të krishterët shqetësohen, sepse e shikojnë Kishën duke u dridhur nën peshën e rëndë të pushtimit barbar: kanë frikë se mos zhduket.
Të gjithë grinden, kërkojnë shkaktarët, përhapin frikë e ankth. Po ku janë zhdukur optimistët, njerëzit që besojnë akoma në të ardhmen? Thua s’ka mbetur asnjë prej tyre? Një sigurisht ka mbetur! Ndodhet në Afrikë, pranë Agostinit… Quhet Pal Orozio dhe ka vendosur të mos e humbasë shpresën, ndonëse i ka të gjitha arsyet e botës për t’u pushtuar nga pakënaqësia e përgjithshme. Jeton në Afrikë, por Kontinenti i zi nuk është atdheu i tij. E kanë detyruar të ikë nga vendlindja, Galicia. Është meshtar i persekutuar nga barbarët, disa herë në rrezik vdekjeje, para se të arrinte në brigjet afrikane. Gjithsesi provat e rënda nuk e kanë ligështuar aspak moralin e tij të hekurt. Pal Orozio shkruan me guxim veprën ‘Histori kundër paganëve’, për t’u rikthyer njerëzve shpresat e humbura e për t’i nxitur t’i shikojnë ngjarjet me një sy tjetër. Fjalët e tij janë thellësisht optimiste. Në këtë libër i zbulon bashkëkohasve anët më pozitive të pushtimeve barbare. Mjafton t’i shikosh objektivisht ngjarjet: për shembull, Pal Orozio i kujton popullit të vet se edhe pushtimi romak u realizua me dhunë. Historia përsëritet… nganjëherë madje, duke u përmirësuar. Realiteti tregon se barbarët, pasi u ngulën në vendet e pushtuara, nuk e shtypin popullin, nuk e rrjepin me taksa, nuk i kthejnë njerëzit në skllevër e nuk jetojnë si parazitë, duke shfrytëzuar punën e të tjerëve. Përkundrazi, punojnë më shumë se të gjithë.Por mësimi më i madh optimist Pal Orozio ia jep Kishës: në të gjithë këta popuj që mbërrijnë nga të katër anët, ai shikon nxënësit e rinj të Krishtit, shpirtrat e rinj që presin të kthehen në fenë e krishterë. E fton Kishën t’ia hapë në të dyja kanatat portat këtyre njerëzve e t’i ndihmojë të zbulojnë dashurinë e Krishtit. Krishtërimi mund të rifillojë rrugën me hov e zell të ri. Një përshëndetje të ngrohtë barbarëve! Mirë se na erdhën!







All the contents on this site are copyrighted ©.