Të rinjtë, ungjillëzimi e sfida edukative, në qendër të takimit të Benediktit XVI
me klerin e dioqezës së Romës.
(07.02.2008 RV)“Ta ndihmojnë njeri
tjetrin” - ky këshill i Papës ishte në qendër të vëmendjes në takimin e sotëm me famullitarët
e me klerin e dioqezës së Romës, mbajtur në Sallën e Bekimeve, në Vatikan. Ashtu si
në tre takimet e viteve të kaluara, Papa iu përgjigj drejtpërdrejtë pyetjeve të meshtarëve,
të cilët i folën ipeshkvit të tyre me dashuri e sinqeritet. Pyetjet kryesore i bënë
dhjetë meshtarë, të cilët prekën temën e të rinjve, të ungjillëzimit dhe të edukimit. Në
plan të parë të këtij takimi ishin të rinjtë. Sot - tha Papa, duke iu përgjigjur njërës
nga pyetjet - nuk është aspak e lehtë që të rinjtë të jetojnë si të krishterë, sepse
janë nën ndikimin e fuqishëm të stileve të jetës, që sundojnë botën tonë. Atëherë
është e domosdoshme që meshtarët të dëshmojnë se ne mund ta njohim me të vërtetë Hyjin,
se mund të jemi miq të Tij e të ecim së bashku me Të. Benedikti XVI theksoi rëndësinë
e pranisë së Zotit në fushën e edukimit. Nuk mjafton kurrë – tha Ati i Shenjtë, duke
kujtuar Letrën e tij drejtuar dioqezës së Romës – përgatitja profesionale, në se nuk
shoqërohet edhe me formimin e zemrës, me praninë e Zotit. Nga ana tjetër – vijoi –
të njohësh Ungjillin është një aspekt i rëndësishëm i formimit kulturor. Më pas
Ati i Shenjtë u ndal tek Krezhmët. Në një kohë inflacioni fjalësh e figurash – shpjegoi
Papa – kemi nevojë t’i krijojmë hapësirë Fjalës së Hyjit, sepse agjërimi i korpit
nuk mjafton: “Më duket se koha e Krezhmëve mund të jetë edhe kohë e agjërimit
për fjalët e figurat, sepse kemi nevojë për heshtje. Kemi nevojë për një hapësirë,
në të cilën nuk bombardohemi nga figurat (…) për një hapësirë heshtjeje, për t’ia
rihapur zemrën tonë figurës së vërtetë e Fjalës së vërtetë”. Në përgjigjen
që i dha, më pas, një meshtari indian, në Romë prej vitesh, Papa foli për temën e
ungjillëzimit, duke cituar Notën mbi këtë temë, miratuar kohët e fundit nga Kongregata
për Doktrinën e Fesë. Dialog – ripohoi Ati i Shenjtë – do të thotë respekt për tjetrin.
Por kjo përmasë e dialogut, kaq e nevojshme - saktësoi Benedikti XVI – nuk e përjashton
kumtimin e Ungjillit, dhuratë e së Vërtetës, të cilën nuk mund ta mbajmë vetëm për
vete, por duhet t’ia japim edhe të tjerëve. Misioni nuk është imponim, por dhurim
i Fjalës së Zotit. Ta lemë mënjanë këtë dhurim, do të thotë të lëmë pas dore një nga
detyrat më të rëndësishme. Do të ishim të pafe edhe ne vetë, në se nuk do ta kumtonim
fenë tonë, natyrisht duke respektuar plotësisht lirinë e tjetrit. Neve – thonë shumë
jo të krishterë - shtoi Papa – na ndihmon prania e krishterimit edhe në se nuk bëhemi
të krishterë. Gandi për shembull – kujtoi Benedikti XVI – Predikimin e Malit e pati
si pikëmbështeje gjatë gjithë jetës së tij. Puna misionare është themelore. Dialogu
e misioni nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin, përkundrazi, e kujtojnë njëri-tjetrin.
Thamë se Papës iu drejtuan dhjetë pyetje, disa nga të cilat posaçërisht impenjative.
Njërës prej tyre Ati i Shenjtë i dha një përgjigje, që krijoi atmosferë humori në
sallë: “Faleminderit për këtë ndërhyrje. Natyrisht ju e dini mirë se pyetjet
janë aq të gjata, sa do të na duhej së paku një semestër teologjie për t’ iu përgjigjur”. Papa, pastaj, u ndalua tek rëndësia që ka për njeriun kujtimi i fundit të tij,
i vdekjes, gjykimit, Ferrit e Parajsës, të cilave mund t’u shtojmë edhe Purgatorin,
duke pohuar se ndoshta sot Kisha flet tepër pak për mëkatin, për Parajsën e Skëterrën.
Prandaj – theksoi Papa – në Enciklikën time ‘Spe salvi’ fola për Gjyqin universal.
Kush nuk e pranon Gjyqin e Mbram - theksoi me forcë Benedikti XVI – nuk pranon mundësinë
e falimentimit dhe nevojën e ringjalljes. Ai që nuk punon për Parajsën – shpjegoi
më pas – nuk punon as për të mirën e njerëzve mbi tokë. Nazizmi e komunizmi – pohoi
Ati i Shenjtë – që donin ta ndryshonin botën, e shkatërruan, pikërisht sepse punuan
për Ferrin e jo për Parrizin, duke i shndërruar vendet tyre në një ferr të vërtetë
mbi tokë. Në përfundim Papa vuri theksin mbi rolin gjithnjë më të rëndësishëm të
diakonëve, që në Romë janë më se njëqind, duke kujtuar se duhen falënderuar Etërit
e Koncilit II të Vatikanit për rivlerësimin e këtij roli, që lidh botën laike me atë
meshtarake.