Drama “Nënë Tereza për të varfërit, si e varfër” në skenën e Teatrit Kombëtar në
Tiranë
(7.2.2008 RV)Më 8, 9 dhe 10 shkurt në Tiranë në skenën e Teatrit Kombëtar do të ngjitet
premiera e dramës “Nënë Tereza për të varfërit, si e varfër”, një realizim i kompanisë
teatrore “Tirana”. Është momenti i thirrjes, atëherë kur Gonxhja Bojaxhiu e dëgjon
thirrjen e Zotit dhe vendos t'u kushtohet njerëzve. Eshtë hera e parë në trevat shqiptare
që në një skenë teatrore ngjitet një dramë kushtuar të Lumes shqiptare, Nënë Terezës.
Teksti i dramës është shkruar nga aktori Lazër Filipi, i cili ia ka besuar regjinë
regjisorit Bruno Shllaku. Sipas Filipit, njerëzit të lodhur nga trysnitë politike
dhe nga dhuna që demonstrohet kudo, edhe në art, kanë mundësi të ndjekin një vepër
që ofron mirësi dhe paqe. "Ne jemi të bindur që nëpërmjet kësaj drame do të përcjellim
mirësinë e Nënë Terezës, dashurinë e saj për të varfrit, si e varfër", - thotë Lazër
Filipi, ndërsa shton se pas premierës në Tiranë do të ketë edhe premierë në Prishtinë. Për
regjisorin Bruno Shllaku është një kënaqësi e veçantë të punojë për këtë shfaqje.
Një vepër që mban pasaportën shqiptare, ku i mëshohet fort identitetit shqiptar, por
që nuk mbetet në qerthullin lokal dhe merr përmasa universale. "Kjo nuk është një
shfaqje që i takon vetëm teatrit shqiptar, por është një premierë të përbotshme",
- thotë Shllaku. Realizuesit e kësaj vepre shpresojnë që ajo të jetë në lartësinë
e duhur, ashtu siç e meriton një figurë si Nënë Tereza.