2008-02-06 18:09:48

Në audiencën e përgjithshme, Ati i Shenjtë foli për Krezhmët dhe bëri thirrje për pajtimin në Çad.


(06.02.2008 RV)Në qendër të audiencës së sotme të përgjithshme ishin Krezhmët, si veçim i madh shpirtëror, që u krijon të krishterëve kushtet të ushtrohen në pendesë e në solidaritet me të varfërit, për të zbuluar kështu se ky është gëzimi i vërtetë i jetës. Por Benedikti XVI bëri edhe një thirrje të fuqishme që t’i jepet fund dhunës në Çad e që Toka Shenjte të ecë në rrugën e paqes. Kujtoi edhe 130-vjetorin e vdekjes së Piut IX, të cilin e quajti shërbëtor i paepur i së vërtetës, në një epokë shekullarizimi.
Shekullarizimi nuk është një e keqe që shqetëson vetëm kohën tonë. Kundër tij luftoi me guxim edhe Piu IX, një shekull e gjysëm më parë. Prandaj pikërisht në këto epoka erozioni të vlerave të krishtera, periudhat e reflektimit, të lutjes e të agjërimit nga materializmi, siç janë Krezhmët, mund t’i ndihmojnë, posaçërisht njerëzit e fesë të zbulojnë se gëzimi që mbush përplot zemrën, mund të gjindet vetëm duke besuar thellësisht në Zotin e duke ndihmuar të varfërit. Benedikti XVI shpjegoi se dyzet ditët para Pashkëve – siç e bënte më të dukshme dikur përgatitja e katekumenëve - janë kohë e përtëritjes shpirtërore, pikërisht sepse:
Ndihmojnë për ta mbajtur zgjuar vetëdijen se i krishterë mund të jesh vetëm në se vijon të bëhesh vazhdimisht i tillë: nuk është kurrë histori e përfunduar, që e kemi lënë pas shpine, por shtegtim që kërkon përherë një ushtrim të ri”.
Fjalët-udhëheqëse të Krezhmëve – kthesë e pendim – theksoi Papa – janë më urgjente se kurrë sot, kur shikon ç’ndikim të fuqishëm kanë të mirat materiale mbi shoqërinë moderne:
“Kur shpall pavarësinë e tij të plotë nga Hyji, njeriu bashkëkohor bëhet skllav i vetes e shpesh e flak vetveten në një vetmi të pangushëllueshme. Atëherë ftesa për të bërë kthesë, është shtytje për t’u rikthyer në krahët e Hyjit, Atit të dashur e të dhëmbshur, për të besuar në Të, për ta lëshuar veten në duart e tij, si bij në shpirt, të rilindur nga dashuria e Tij”.
Pastaj Benedikti XVI, bëri të vetat fjalët e Ungjillit të Markut, ‘ç’vlerë ka të fitosh mbarë botën, në se pastaj humbet shpirtin?’:
“Arritja e suksesit, etja për nderime, kërkimi i rehatisë, kur e thithin jetën aq, sa ta shtyjnë njeriun ta përjashtojë Zotin nga horizonti i tij, thua e bëjnë të lumtur? A mund të ketë lumturi të vërtetë pa Hyjin? Përvoja tregon se njeriu nuk bëhet i lumtur sepse plotëson dëshirat e kërkesat e tij materiale. Në të vërtetë, i vetmi gëzim që e mbush përplot zemrën njerëzore, është ai që vjen nga Hyji: e ne kemi nevojë pikërisht për këtë gëzim të pafund”.
Ilaçi kundër lakmisë që ngjall mirazhi i pasurisë ose i mirëqenies, është t’ia dhurosh pasuritë, t’ia dhurosh vetveten atij që ka nevojë. Papa e nënvizoi këtë duke folur për lëmoshën, element tipikisht krezhmor – të cilin e ka vënë në qendër të Mesazhit kushtuar kësaj kohe liturgjike. Në se lëmosha – pohoi Benedikti XVI – praktikohet me frymë të thellë fetare, bëhet mjet i rëndësishëm për të kuptuar e për të realizuar më mirë vetë thirrjen tonë të krishterë:
Kur dhuron falas vetveten, i krishteri dëshmon se nuk është pasuria materiale, por dashuria, ajo që i dikton ligjet e jetës!”.
Pasi e përfundoi katekizmin, Ati i Shenjtë u ndal posaçërisht tek kronika ndërkombëtare, duke filluar me thirrjen për shtetin e Çadit, një nga teatrot afrikane të kohëve të fundit, që gjakosen nga konfliktet e brëndshme dhe atdhe i mijëra refugjatëve në ikje:
“Ia besoj edhe lutjes suaj e solidaritetit tuaj këta vëllezër e motra që vuajnë – i porositi Papa të gjithë besimtarët, dhe vijoi të kërkojë - t’i jepet fund dhunës e të sigurohet ndihma humanitare, ndërsa bëri thirrje të ulen armët e të ndiqet rruga e dialogut dhe e pajtimit”.
Duke iu drejtuar një grupi funksionarësh të qeverisë libaneze, iraniane e jordane, të pranishëm në Sallën e Palit VI në Vatikan, Papa i nxiti të promovojnë pajtimin, drejtësinë e paqen në zonën e Lindjes së Mesme. Pastaj, si përfundoi audienca, i dha zemër Jolanda Betankurit, nënës së Ingridit, kandidates për zgjedhjet presidenciale kolumbiane, rrëmbyer prej gjashtë vjetësh nga guerrilja vendase, e cila vuan pasojat e një ngjarjeje kaq të dhimshme, që nuk dihet kur do të përfundojë. Së fundi Papa kujtoi 130- vjetorin e vdekjes së Piut IX, duke e vlerësuar lart Papën që, siç u shpreh vetë Benedikti XVI – e kreu me dashuri heroike misionin e bariut universal të Kishës, duke pasur gjithnjë si qëllim kryesor, shpëtimin e shpirtrave:
“Në papninë e tij të gjatë, plot ngjarje të stuhishme, ai kërkoi të ripohonte me forcë të vërtetat e fesë së krishterë përballë një shoqërie që po shkonte drejt shekullarizimit. Dëshmia e tij prej shërbëtori të paepur e guximtar të Krishtit e të Kishës, mbetet edhe sot një mësim i ndritshëm për të gjithë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.