365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.
(06.02.2008 RV)6 shkurt: Onorati që i shndërronte egërsirat në njerëz Çdo
vit, gjatë verës, turistat dynden në ishullin e Shën Onoratit, pranë qytetit të Kanës.
Kur vapa përvëlon, eukalipte vigane përhapin një erëmirë delikate, ndërsa gjinkallat
këndojnë si të çmendura nga gëzimi i të jetuarit. Një kuvend i qetë hap dyert e veta
për t’i pritur ata, të cilët dëshirojnë të gjejnë freski e heshtje. Freski për korpin
e heshtje për shpirtin, për të dëgjuar kështu më mirë zërin e Zotit që këtu i flet
drejtpërdrejtë zemrës së njeriut. Fama e këtij ishulli është shumë e lashtë. Nis që
në vitet 400, rreth njëmijë e gjashtëqind vjet më parë, kur këtu erdhi të banojë murgu
Onorati. Vetmitari zuri vend në një shpellë të vargmalit Estérel, prapa Kanës,
nga e cila mund të sodiste detin dhe ishujt Lérins. Një ditë vendosi të shkonte për
të jetuar në njërin nga këta ishuj të vegjël, së bashku me shokun e tij plak, Kaprasin,
që jetonte me të si vetmitar. Ishulli ishte përplot me gjarpërinj të helmatisur
e me shkurre. Nuk shihej ujë gjëkundi e askujt s’ i kishte shkuar nëpër mend të hapte
puse, në një vend të tillë që dukej krejt i shkretë. Dihet se atje ku nuk ka ujë,
njeriu nuk mund të jetojë. Prandaj ishulli kishte mbetur ashtu: i egër, me blerim
të dendur, të kapërthyer e me pamje aspak mikpritëse, si zemra e pushtuar nga e keqja,
që nuk e ka të lehtë të çlirohet. Onorati e murgjërit që arritën në ishull, vendosën
t’ia ndëronin faqen, ta bënin tokë mikpritëse ku, ashtu si në Parajsë, Hyji e njeriu
do të provonin gëzimin e papërshkrueshëm të takimit. Para se të arrinin murgjërit,
deri detarët kishin frikë të strehoheshin në këtë ishull, kur frynte shfrynte stuhia,
aq vend i egër e i rrezikshëm u dukej. Pasi u vendos aty Onorati, shumë prej tyre
ndërronin drejtimin, për të gjetur në ishull mikpritje e prehje. Murgu kishte një
dhanti tepër të veçantë: lexonte në jetën e në zemrën e njerëzve që shkonin tek ai,
ua kuptonte menjëherë vuajtjet, gëzimet, shqetësimet e i ngushëllonte. Në atë kohë
marrëdhëniet ndërmjet njerëzve ishin të vrazhda e të dhunshme. Jeta, posaçërisht ajo
e grave dhe e skllevërve, kishte pak e aspak vlerë. Krishtërimi i përtëriu lidhjet
ndërmjet njerëzve: zgjoi vëmendjen për të tjerët, respektin, ngrohtësinë njerëzore,
dashurinë, solidaritetin. Onorati e dëshmonte konkretisht këtë me të gjithë ata që
i takonte. Biografi e miku i tij, Shën Hilari, thoshte se ishte i zoti t’i shndërronte
deri bishat në njerëz. Abacia e ishujve Lérins qe një nga të parat që u themelua
në Gali e, për shekuj me radhë, shumë nga murgjërit e saj u bënë ipeshkvij. Onorati,
në vitet e fundit të jetës së tij, pranoi kërkesën e të krishterëve të qytetit Arles
për t’u bërë ipeshkvi i tyre. Pasardhës i tij, pas vdekejs, qe Hilari. Shumë shenjtorë
të mëdhenj e ipeshkvij dolën nga abacia e Lérins: mjafton të kujtojmë Shën Ujkën e
Truisë, Shën Eukerion e Lionit e Shën Qesarin e Arles….Uji freskues që dilte nga pusi
i hapur në zemër të ishullit, gufonte papushuar e formonte një lumë me ujë të gjallë,
që i jepte jetë gjithë Galisë.