365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.
(05.02.2008 RV)5 shkurt: Ambrozi,
njeriu që e shtrëngoi perandorin të bënte pendesë. Në mbarim të shekullit IV,
në Milano, katekumenëve, dmth atyre që përgatiten të marrin Pagëzimin Natën e Pashkëve,
u jep mësim vetë ipeshkvi, Ambrozi. “Për ne Krishti është gjithçka” – shpjegon
ipeshkvi. “Është mjek për të plagosurin; ujë freskues për atë që digjet nga ethet;
drejtësi për të shtypurin; jetë për njeriun që trembet nga vdekja; forcë për të ligështin;
rrugë për atë që kërkon qiellin; dritë për njeriun që nuk e do errësirën…”. “Po
ti, a e kupton atë që thotë!” – pyet me zë të ulët një katekumen, mikun e vet aty
pranë. “Për ta kuptuar Ambrozin, duhet të njohësh vetë jetën!”- i shpjegon ky
i fundit. “Krishti është për të i vetmi model, gjithnjë, gjithkund, në gjithçka.
Ambrozi është avokat e edhe governator i provinçës së Milanos: po të donte, do të
kishte bërë karrierë të shkëlqyer politike e sot do të ishte një nga personalitetet
më të fuqishme e një nga njerëzit më të pasur të perandorisë romake… Por hoqi dorë
nga të gjitha, për Krishtin. Kur të krishterët e Milanos i kërkuan të bëhej ipeshkvi
i tyre, Ambrozi pranoi, ndonëse as pagëzuar nuk ishte akoma. Ambrozi është njeri i
paqes, që sillet në mënyrë të drejtë me të burgosurit; ndryshe nga governatorërt
e tjerë, ai nuk i torturon kurrë. Prandaj edhe e zgjodhëm ipeshkëv...”. “Po problemet
e tjera, si i ka zgjidhur? Apo s’ka pasur fare probleme?”. “Si s’ka pasur, shumë
madje. E të shumtë janë edhe armiqtë që i kundërvihen, sepse i denoncon publikisht
për mbrapshtitë e tyre. E urrejnë sidomos pronarët e mëdhenj të tokave, të cilët presin
që fshatarët e vegjël të zhyten në borxhe deri në fyt, që t’ua blejnë, pastaj, tokat
për një copë bukë… Ndërsa ipeshkvi ka shitur edhe enët e çmuara të Kishës, për të
çliruar gratë e burrat e kapur e të kthyer në skllevër nga barabarët. “Im atë
më ka treguar se e ka vënë veten në rrezik, duke i kërkuar perandorit Teodosi të bënte
pendesë…”. “Më se e vërtetë. Teodosi kishte shtypur me gjak një kryengritje. Ambrozi
nguli këmbë që perandori të kërkonte të falur para të gjithëve për këtë masakër.
Ishte hera e parë që një ipeshkëv i bënte ballë një perandori dhe e detyronte t’i
bindej ligjit të Hyjit”. Me sa duket “Të ikësh nga errësira e të mbetesh në dritë”,
do të thotë t’i bësh gjithë këto gjëra, të cilat ipeshkvi, jo vetëm na i mëson, por
kryesisht i jeton vetë i pari, apo jo?” – vijon të pyesë katekumeni. “Pikërisht!”
– i përgjigjet miku. Shën Ambrozi ishte edhe intelektual i shquar. Dëshironte t’u
jepte përgjigje të gjitha pyetjeve të epokës së tij. U bë i famshëm për traktatet
filozofike e predikimet aq të shkëlqyera, sa ngjallën në shpirtin e Agostinit dëshirën
për të marrë Pagëzimin, duke i shtuar radhëve të dijetarëve të Kishës një tjetër
‘Ambroz’.