2008-02-04 17:17:25

Papa në Engjëllin e Tënzot: vlera e jetës dhe thirrja për Kenian, Irakun e Kolumbinë.


(04.02.2008 RV)RealAudioMP3 Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, pasi foli për vlerën e jetës, rëndësinë e rregulltarëve dhe lutjen gjatë kohës së Krezhëmve, Benedikti XVI bëri thirrje për Kenian, Irakun e Kolumbinë. Papa kujtoi se dje, në Itali, kremtohej Dita për Jetën.
“Qytetërimi i një populli matet me aftësinë e tij për t’i shërbyer jetës” – theksoi Ati i Shenjtë, duke kujtuar fjalët e Konferencës Ipeshkvnore Italiane në mbrojtje të jetës, dhe shtoi:
“Secili, sipas mundësive, profesionit dhe kompetencave, duhet ta ndjejë gjithnjë shtytjen për ta dashur jetën e për t’i shërbyer, nga zanafilla, deri në perëndimin e saj të natyrshëm”.
Të gjithë duhet të impenjohen – pohoi Benedikti XVI - ta pranojnë jetën njerëzore si dhuratë që duhet respektuar, duhet mbrojtur e duhet promovuar, aq më tepër kur është e brishtë e ka nevojë të posaçme për vëmendje e kujdes, si para lindjes, ashtu edhe në perëndimin e saj. Papa bashkoi, kështu, zërin, me ipeshkvijtë italianë duke u dhënë zemër të gjithë atyre që pa bujë, me mundim e përkushtim të madh, gjejnë gëzimin e jetës duke u shërbyer familjarëve pleq ose të sëmurë si dhe atyre që i kushtojnë rregullisht një pjesë të jetës njerëzve të çdo moshe, që vuajnë nga forma të ndryshme të varfërisë.
Papa foli edhe për një Ditë tjetër, atë të Jetës së përkushtuar, që u kremtua dje në festën liturgjike të Paraqitjes së Zotit në tempull. Me këtë rast Ati i Shenjtë u shprehu mirënjohjen të gjithë atyre që ia kushtojnë plotësisht jetën Zotit e Kishës me kushtet e varfërisë, të pastërtisë e të bindjes dhe nënvizoi se jeta rregulltare është një pasuri e pallogaritshme për Kishën e për botën.
Pastaj Benedikti XVI kujtoi se të mërkurën e ardhshme, me ritin e përhimjes, fillon Koha e Krezhëmve. Si çdo vit, Ati i Shenjtë do të kryesojë Eukaristinë me ritin e përhimjes, në Bazilikën romake të Shën Sabinës, në Aventin.
E pasi uroi që Krezhëmt të jenë kohë kthese të vërtetë për të gjithë të krishterët, Benedikti XVI njoftoi se duke filluar që sot e deri më 11 shkurt, kur kremtohet festa e Zojës Lurdë dhe 150-vjetori i dukjeve të saj në Shpellën e Masabielës, besimtarët mund të fitojnë ndjesën e plotë për vete e për shpirtrat e të vdekurve, pasi të plotësojnë kushtet e zakonshme: të rrëfehen, të kungohen dhe të luten sipas ndjeteve të Papës, duke u gjunjëzuar para figurës së Zojës Lurdë, ekspozuar për nderim publik. Ndjesën mund ta fitojnë edhe pleqtë e të sëmurët, duke plotësuar simbolikisht kushtet që kujtuam më sipër.
Pas lutjes mariane, një mendim për pajtimin, drejtësinë e paqen në Kenia:
“Uroj që përpjekjet për të ndërmjetësuar, në vijim e sipër, falë vullnetit të mirë dhe bashkëpunimit të të gjithëve, të përfundojnë me sukses e t’i jepet sa më shpejt fund konfliktit, që ka shkaktuar aq shumë viktima”.
Papa reflektoi e u lut edhe për Irakun:
“Ligësia, shkaktare e dhimbjeve të thella, duket se nuk njeh kufi në Irak, prej nga vijojnë të vijnë lajme jashtëzakonisht të trishtuara. Ngre përsëri zërin për t’i mbështeur këto popullsi të vëna në provë të rëndë dhe i lutem Zotit t’u dhurojë paqen”.Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Papa kujtoi Kolumbinë, duke vënë theksin mbi rrëmbimet e njerëzve, që e trondisin situatën në vend; familjet, vatra të bashkëjetës civile e shkolla të vlerave njerëzore dhe festën e vitit të ri, që kremtohet në vende të ndryshme aziatike, shoqëruar me urimin që t’i vlerësojnë e t’i ruajnë këto tradita të bukura të jetës familjare. Ati i Shenjtë përshëndeti, në përfundim, Bijat e dashurisë së krishterë në festë, sepse pikërisht dje, në Kaljari, u shpall e lume simotra e tyre Gjyzepina Nikoli.







All the contents on this site are copyrighted ©.