2008-02-04 17:18:02

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(04.02.2008 RV)4 shkurt: Gjon Gojarti, predikimet e të cilit vlejnë më shumë se ari.
Zakonisht Gjoni e kupton gjithçka me një frymë. Jo më kot e quajnë ‘Krizostomo’, që në gjuhën greke do të thotë ‘Gojarti’.
Është tepër i zgjuar e, kur flet, të mahnit. Por sot Gjoni duket i shqetësuar: disa njerëz e sulmojnë dhe e detyrojnë të hipë në një karrocë, pa i dhënë kurrfarë shpjegimi. E në sa ai, me të drejtë, i pyet ku po e çojnë, merr përgjigjen e çuditshme: “Të presin në Kostandinopojë!”. Po kush e pret!? E vetmja gjë që Gjoni di për Kostandinopojën, është se atje mbretëron çrregullimi. Patriku Nektari, kreu i Kishës së Kostandinopojës, sapo ka vdekur e, pikërisht në këtë çast, atje bëhen zgjedhjet për pasardhësin. Ipeshkvijtë e mbledhur për këtë qëllim, grinden, shahen e komplotojnë, sepse secili dëshiron të zërë vendin e patrikut, mbetur bosh. Një pështjellim i turpshëm.
Sapo arrin në Kostandinopojë, Gjoni vëren menjëherë se zgjedhjet po zhvillohen në një atmosferë shkandulluese. Më i rrezikshmi është Teofili, ipeshkvi i Aleksandrisë, që do të dëshironte të kontrollonte, përveç Kishës së vet, edhe atë të Kostandinopojës. Duhet sqaruar këtu se patriku i Kostandinopojës është ipeshkëv tepër i rëndësishëm, që e kryen detyrën në lidhje të ngushtë me perandorin: Teofili, njeri tepër ambicioz, ka nisur prej kohe ta ëndërrojë një vend të tillë. Ndërsa njeriu që interesohet ta ketë Gjon Gojartin në Kostandinopojë, është vetë perandori. I shkandulluar thellësisht nga sjelljet e ipeshkvijve, ka vendosur t’i detyrojë të zgjedhin në krye të Kishës pikërisht Gjonin, prift pa kurrfarë pasurie e pa kurrfarë ambicioni. E ipeshkvijve s’u mbetet tjetër, veçse të lënë mënjanë inate e ambicione e t’i nënshtrohen urdhërit të perandorit. Patriku i ri nis punën me vrull: në Kostandinopojë duhen bërë shumë ndryshime. Para së gjithash, Kisha është tepër e pasur: priftërinjtë jetojnë në luks, ndërsa të varfërve u mungon edhe buka e përditshme. Gjon Gojarti u jep fund shpenzimeve të tepërta të njerëzve të kishës. Paratë e kursyera ua dhuron spitaleve. Madje arrin t’i frymëzojë edhe fisnikët, miq të perandorit, të jetojnë më thjeshtë, në një vend të famshëm për salltanet të jashtëzakonshëm. Gjen mënyra të reja për lutjen e përbashkët, i bën çastet e lutjes më të bukura e më prekëse për zemrat e të gjithëve. Banorët e Kostandinopojës e duan Patrikun e tyre të ri, por Gjoni ka edhe armiq të përbetuar, duke nisur nga Teofili, që zjen nga inati i humbjes së fronit aq të dëshiruar. Përdor, prandaj, të gjitha dredhitë e mundshme, për ta dëbuar Gjonin. E ia del mbanesh. Patriku i madh internohet e keqtrajtohet, derisa shuhet tepër larg Kostandinopojës. Ai vdes, por Kisha nuk mund ta harrojë ‘gojën e tij të artë’, që krijoi lutje mahnitëse, predikoi si moskush e u mësoi të krishterëve t’i ndajnë së bashku pasuritë e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.