03.02.2008 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e katërt të kohës së zakonshme
gjatë vitit kishtar. U përkujtuan edhe Shëna Vlashi, ipeshkëv i Sebastes e martir
e Shën Ansgari (Oskar), ipeshkëv i Hamburgut, apostull i Skandinavisë.
Nesër,
e hënë, është festa e Shën Eutikut, martir dhe e Shën Jozefit nga Leonessa,
meshtar kapuçin. Liturgjia e festës na shtyn të meditojmë për faqen ungjillore, sipas
të cilës në tokë pagane, në një nga qytetet e Dekapolit, njeriu i pushtuar nga djalli
e njeh Jezusin si Birin e Hyjit, që me pushtetin e tij hyjnor e çliron nga pushteti
i së keqes. Shikojmë, kështu, se mëshira e Hyjit shtrihet në skajet më të largëta
të tokës.
Në festën e Shën Ages, që do të përkujtohet të martën,
liturgjia na kujton gruan e sëmurë e vajzën e ringjallur, të cilat Jezusi i shëron
e i kthen rishtas në jetë. Prej këndej kuptojmë sa e rëndësishme është të jemi gjithnjë
të lidhur me Zotin përmes fesë.
Arrijmë kështu tek e Mërkura e përhime,
me të cilën fillojnë Krezhëmt, që na përgatisin për Pashkë. Eshtë kohë pendese,
kthimi në rrugën e Zotit, lufte kundër shpirtit të së keqes.
Të enjten,
është festa e Shën Rikardit dhe e të lumit Piu IX papë. Na kujton se kush nuk dëshiron
ta shkatërrojë jetën, por ta shpëtojë, duhet ta ndjekë Krishtin me çdo kusht. E të
shkelësh mbi gjurmët e Zotit do të thotë jo vetëm të ngarkosh mbi shpinë kryqin, por
edhe të ecësh me të, larg rrugëve në të cilat ecën bota. Shën Jeronim
Emiliani, themeleus i Somaskëve, pajtor i jetimëve e i të rinjve të braktisur dhe
Shën Jozefina Bakita, virgjër, që do të festohen të premten, na kujtojnë se
pesha e kryqit është rëndë, por jo e padurueshme. Njeriu që është i vetëdijshëm se
ka përkrah Krishtin, e mbart këtë peshë me bindjen se rruga e mundimshme të çon në
jetën e amshuar. Shën Apolonia virgjër e martire, e cila do të kremtohet
të shtunën – na nxit të reflektojmë mbi thirrjen që i bëri Jezusi Mateut: “Më
ndiq!”. E Krishti nuk e ftonte për të ecur në rrugën e trishtimit, ndonëse duhet të
braktiste gjithçka. Përkundrazi! Prandaj Mateu shtron një gosti të madhe, që i ngjet
dasmës, para se t’i bindet urdhërit të Mësuesit për të ecur pas Tij në një rrugë të
vështirë, por që të çon në gëzimin e pa mort. E diela e ardhshme është e para
e Krezhmëve, që sivjet filluan më shpejt se vitin e kaluar.