2008-02-02 15:39:35

Papa Benedikti XVI takohet me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu. Për pavarësinë Vatikani do të shohë orientimin e bashkësisë ndërkombëtare.


(02.02.2008 RV)Papa Benedikti XVI u takua sot paradite me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu për vizitë private në Vatikan. Vizita u bë në një moment shumë delikat për Kosovën, në prag të shpalljes së pavarësisë dhe të njohjes së saj ndërkombëtare si shtet. Përveç kësaj, pikërisht nesër në Serbi zgjidhet presidenti i ri, që do të përcaktojë edhe orientimin e vendit, më europeist, apo më nacionalist e lindor. Interesi i gazetarëve për këtë takim ishte kaq i madh, saqë Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë bëri një deklaratë për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre, gjë jo e zakonshme për një vizitë private.
“Para së gjithash – thuhet në deklaratë - Ati i Shenjtë shprehu afërsinë e tij me të gjithë popullsinë e atyre trojeve, në të cilat krishterimi është i pranishëm që nga shekujt e parë të epokës sonë. Aktualisht, Kisha Katolike në Kosovë përbëhet nga rreth 65 mijë besimtarë dhe kryen një shërbim të çmueshëm, sidomos në fushën asistenciale dhe edukative, në favor të të gjithë kosovarëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike dhe fetare.
Takimi i shërbeu Atit të Shenjtë – vazhdon nota përkatëse e Sallës së Shtypit të Vatikanit – për të marrë informacione të drejtpërdrejta mbi situatën aktuale dhe perspektivat e së ardhmes”.
Pa dashur të prononcohet mbi statusin përfundimtar të Kosovës, Selia e Shenjtë thekson se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e saj për të. Në notën e Sallës së Shtypit, e cila, siç thamë, u përgjigjet pyetjeve të shumta, që erdhën nga gazetarët për takimin e sotëm të Papës Benedikti XVI me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, ky i fundit përcaktohet si “Autoriteti më i lartë institucional” i vendit.
“Përsa i përket një deklarate të mundshme për pavarësinë e Kosovës – theksohet në notë – Selia e Shenjtë do të ndjekë me vëmendje të veçantë zhvillimet në vend dhe, në vlerësimin e saj, do të mbajë parasysh orientimin e Bashkësisë Ndërkombëtare.
Selia e Shenjtë nuk lë mënjanë asnjë mundësi për t’u bërë thirrje të gjithëve për pajtim, drejtësi dhe paqe. Në këtë rast – përfundon deklarata e Sallës së Shtypit të Vatikanit – ripohon atë çka shprehu Ati i Shenjtë në Fjalimin mbajtur para Trupit Dipllomatik, më 7 janar 2008, ku uroi që të garantohen siguria dhe respekti i të drejtave të të gjithë banorëve të atyre trojeve, në mënyrë që të largohet përfundimisht fantazma e ndeshjes me dhunë e të përforcohet stabiliteti evropian”.
Menjëherë pas takimit me Papën Benedikti XVI, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili u takua po sot edhe me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertone, dha në mikrofonin e Klaudia Bumçit një intervistë ku flet për argumentet e bisedave dhe përshtypjet e tij. Ta dëgjojmë…RealAudioMP3








All the contents on this site are copyrighted ©.