2008-02-02 16:18:05

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(03.02.2008 RV)3 shkurt: Jeronimi, shenjti me karakter të vështirë.
Bam! Porta përplaset me potere. Jeronimi ka dalë nga dhoma, por vijon të shajë me zë të lartë në korridor. Njerëzit që i shërbejnë Papës Damasi, mbeten me gojë hapur nga çudia: është një copë prift, e guxon të zemërohet me kryetarin e Kishës?!
Po Damasin më shumë e dëfren, sesa e zemëron prifti, me të cilin nuk është aq e lehtë të bisedosh. I njeh mirë ndryshimet e humorit të Jeronimit: kur s’ është në qejf, nuk ia përton të grindet keqas edhe me miqtë e tij më të mirë… Po kush është ky soj njeriu? Është meshtar, por sidomos, dijetar: për Papën, është dijetari më i madh që ka njohur ndonjë herë. I ka lexuar të gjithë librat më në zë të kohës, flet në mënyrë të përkryer gjuhën latine, greke e hebraike. Ka një kujtesë të pabesueshme. Damasi e takoi për herë të parë këtë njeri të madh në vitin 382. U mahnit nga kultura e tij dhe vendosi ta marrë pranë, si sekretar personal. Kështu Jeronimi u bë i famshëm. Papa i besoi një punë të jashtëzakonshme, që do t’i kishte krijuar vështirësi të pakapërcyeshme kujtdo tjetër: të përkthente Biblën në gjuhën latine, gjuhë që flitej e shkruhej në të gjitha vendet e përparuara të kohës. Deri në atë çast, Bibla ishte përkthyer vetëm pjesërisht në gjuhën latine. Madje ishte përkthyer mos më keq. Pjesa tjetër mund të lexohej vetëm në gjuhën hebraike ose në përkthimet greke, plot me gabime, që ia ngrinin nervat njohësit të madh të Shkrimit Shenjt. Damasi donte t’i krijonte të gjithë të krishterëve mundësinë ta lexonin prej kreut e deri në fund, këtë libër kaq të rëndësishëm për jetën e tyre. E sidomos, ta lexonin në një botim pa gabime, që leximi e meditimi i Shkrimit Shenjt të mos i shqetësonte, por t’i kënaqte e t’i pasuronte shpirtërisht. Jeronimi ishte i vetmi studiues, që mund ta kryente këtë detyrë tepër të vështirë. Thua e dinte, kur nisi përkthimin, se do t’i duheshin njëzet vjet për ta përfunduar? Megjithatë ai nuk është njeri që trembet nga një punë e tillë. Përkundrazi. Është me humor të mirë, vetëm kur punon. I pëlqen ta kalojë gjithë jetën i rrethuar nga librat. E sapo largohet nga shkritorja e nga librat, është përsëri gati të nisë sherrin. Për fat të keq, Papa Damasi vdes shpejt, në vitin 384. Por Jeronimi nuk e ndërpret punën e pasionuar. Largohet nga Roma e shkon për të jetuar në qytetin ku lindi Jezusi, në Betlehem. Tashmë larg nga të gjithë ‘gomarët’, mes të cilëve ishte i detyruar të jetonte – dmth nga ata që rrethonin papën, e shkrin gjithë kohën që i mbetet, duke punuar ditë-natë. Pak para se të vdesë, në vitin 420, ia del mbanesh ta përfundojë veprën e tij madhore: realizon më të mirin përkthim të Biblës në latinisht. E titullon ‘Vulagata’ që do të thotë ‘Bibla për të gjithë’. Që aso kohe e deri më sot kanë kaluar shekuj, por të krishterët e mbarë botës vijojnë ta lexojnë Biblën e Jeronimit!








All the contents on this site are copyrighted ©.