2008-02-01 19:44:30

Raporti i Hjumën Rajts Uoç: dhunohen të drejtat e njeriut në të gjithë botën


(01.02.2008 RV)Një kuadër botëror me ngjyra të errta, ai që përshkruhet në raportin vjetor të organizatës Hjumën Rajts Uoç (Human Rights Watch), që vigjëlon mbi të drejtat e njeriut që nga viti 1998. Në relacion, Lindja dhe Perëndimi bashkohen nga dhunimi i vazhdueshëm i të drejtave të njeriut e theksohet “demokracia e gënjeshtërt” që eksportohet nga SHBA-të dhe Evropa. Në Afrikë, lista më e gjatë e situatave të rrezikshme për të drejtat e njeriut, edhe për shkak të luftrave, shpesh të harruara. Kritikohet OSBE-ja që në vitin 2010 do t’ia besojë kryesinë e saj Kazakistanit, ku presidenti Nazarbajev kontrollon krejt parlamentin. Në shënjestër të organizatës, “lufta kundër terrorizmit” e presidentit amerikan Bush dhe trajtimi amerikan i të burgosurve në Guantanamo.


Që sot, hyn në fuqi Konventa e Këshillit të Evropës kundër trafikut të qenieve njerëzore, ratifikuar nga 14 vende. Sipas shifrave të njoftuara nga vetë Këshilli, janë mëse 60 mijë, personat që shiten në Evropë. 80% e tyre janë gra, të cilat më pas shtrëngohen, të paktën në masën 70%, të bëhen skllave të seksit. Ky lloj trafiku është aktiviteti i tretë kriminal më i përhapur në Evropë, pas tregtisë së armëve dhe të drogës.







All the contents on this site are copyrighted ©.